Ndërlidhjet

Bugajski: Marrëveshja për Demarkacion të ratifikohet sa më parë


Janusz Bugajski

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Janusz Bugajski, nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, me seli në Washington, thotë se Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi duhet të ratifikohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës, meqë vonesa mund ta ngadalësojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e ndihmuar pozicionin e Rusisë në rajon dhe, po ashtu, e pengon Kosovën në progresin e saj kah Bashkimi Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht në Kosovë ka mospajtime të thella ndërmjet partive të koalicionit qeveritar dhe opozitës. Kjo është veçanërisht e pranishme për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me këtë çështje, për të parën herë ne kemi parë përdorim të gazit lotsjellës nga opozita brenda në Kuvend. Pra, si e shihni ju këtë çështje, duke pasur parasysh se ajo është njëra nga kushtet kryesore për liberalizim të vizave të Bashkimit Evropian?

Janusz Bugajski: Mendoj se kjo çështje me të vërtetë duhet të zgjidhet sa më shpejt. Siç u nënkuptua nga pyetja juaj, ndarja nuk është ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, meqë në përgjithësi të dy qeveritë kanë marrëveshje. Ndarja është brenda politikës së Kosovës. Me fjalë të tjera, njerëzit e Vetëvendosjes, këtë çështje mendoj se e shohin si avantazh të tyre, duke u përpjekur të tregojnë se qeveria, në një mënyrë, e ka tradhtuar vendin, e ka tradhtuar shtetin. Unë mendoj se kjo është gabim dhe vetëdëmtim, pasi nëse nuk ka marrëveshje të ratifikuar me Malin e Zi, kjo mund ta kufizojë Malin e Zi për ratifikimin final për anëtarësim në NATO, duke e ndihmuar pozicionin e Rusisë në rajon dhe, po ashtu, mund ta pengojë Kosovën në progresin e saj kah Bashkimi Evropian. Pra, është mirë që kjo të miratohet sa më parë.

Radio Evropa e Lirë: Ky dhe mospajtimet e tjera ndërmjet koalicionit qveritar dhe opozitës kanë çuar në disa thirrje për zgjedhje të parakoshme. Ka argumente për dhe kundër zgjedhjeve të parakohshme. Çka mendoni, a mund të ndihmojnë zgjedhjet e parakoshme për ta evituar këtë krizë të thellë politike?

Janusz Bugajski: Kam dyshim për këtë. Mendoj se nëse zgjedhjet e parakohshme e sjellin në qeveri një koalicion partiak, që ka mandat të fuqishëm nga votueesit, atëherë po, por nëse ne do të kemi përsëri një parlament të përçarë dhe më tepër parti në përpjekje për të krijuar koalicion qeverisës me një opozitë shumë këmbëngulëse, do të kishim kthim në situatën e njejtë.

Gjatë fushatës dhe zgjedhjeve, problem është që gjërat ndalen, derisa për Kosovën është me rëndësi që të lëvizet me legjislacion, me marrëveshjet ndërkombëtare dhe siç u theksua, të bëhet ai hapi për liberalizim të vizave, pasi thjeshtë, nuk është korrekte që shtetasit e Kosovës nuk mund të udhëtojnë lirisht sikur të tjerët. Për këtë përgjegjësinë nuk e ka vetëm qeveria, por edhe opozita, që të ketë siguri se liberalizimi i vizave përfundimisht do të miratohet.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Bugajski, aktualisht, ka pauzë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Të dy palët e fajësojnë njëra-tjetrën për mosimplementim të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. A shihni ndonjë arritje në këtë dialog deri tash dhe a ka perspektivë ky dialog?

Janusz Bugajski: Mendoj se ka pasur të arritura. Nëse shikoni se ku ishim para 5-6 viteve të fundit, ka pasur të arritura shumë të mira. Ne nuk kemi pritur të ketë kaq shumë progres. Megjithatë, çështjet esenciale nuk janë trajtuar, përfshirë Bashkësinë e Komunave Serbe, që duhet të diskutohet plotësisht në parlament, të sugjerohen amandamente. Pra, ky proces i negociatave duhet të fillojë, pasi ai nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, meqë nëse Beogradi dëshiron të bëjë progres kah BE-ja, atëherë duhet të ketë shumë më tepër progres në raport me Kosovën. Mendoj se të dy palët duhet të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht ka mospajtim lidhur me legjislacionin për kompaninë Trepça, të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Pas kësaj, një parti serbe po i bojkoton institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë. A ka ndonjë mundësi të gjendet zgjidhje në këtë situatë të tensionuar?

Janusz Bugajski: Mendoj se në nivelin bilateral, jo. Mendoj se këtu duhet të aktivizohen si BE-ja, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara. Kompania Trepça është në Kosovë dhe e gjithë pasuria në shtetin e Kosovës i takon shtetit, ose aksionarëve ose çfarëdo aranzhimeve që kanë ekzistuar më parë.

Unë nuk shoh se ka shumë hapësirë për manovrim. Ndoshta, ndonjë pagesë kompensuese duhet t’i bëhet Beogradit, por kjo është qartas pasuri e Kosovës, si shtet i pavarur. Mendoj se duhet të jetë një forcë ndërkombëtare, e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të bërë presion për arritje të marrëveshjes ose, të themi, të angazhohet për pranim ndërkombëtar të vendimit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Dua t'ju pyes për zgjedhjet presidenciale amerikane. Shumë ekspertë dhe analistë thonë se nuk kanë parë garë të këtillë të ashpër dhe të paqartë, sikur kjo ndërmjet Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit. Si do t’i përshkruanit ju këto zgjedhje?

Janusz Bugajski: Janë zgjedhje të pazakonshme sepse të dy kandidatët janë ekstremisht jo të popullarizuar. Mendoj se çfarëdo kandidati tjetër republikan me gjasë do ta mundte Hillary Clintonin, ndërsa nga ana tjetër, pothuajse secili kandidat demokrat do ta mundte lehtë Donald Trumpin.

Ne e kemi një garë që, para se gjithash, është e dy kandidatëve jo të popullarizuar. E dyta, ka shumë sulme personale, në masë të madhe të prodhuara nga Trumpi, dhe e treta, fokus i pamjaftueshëm në çështje politike. Por, mendoj se zgjedhjet aktualisht janë shumë të gjata, pasi po vazhdojnë prej votimeve partiake dhe mendoj se shumë amerikanë janë të ngopur me to.

Radio Evropa e Lirë: Kuptohet, si çdokund në botë, interesim i madh për këto zgjedhje mbretëron edhe në Ballkan dhe Kosovë. Meqë nuk ka pasur deklarata direkte nga të dy kandidatët për çështjen e Kosovës dhe Ballkanit, çka mund të presim nëse Hillary Clinton ose Donald Trump bëhen president të Shteteve të Bashkuara?

Janusz Bugajski: Mendoj se është shumë e qartë se Hillary Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo, jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por ajo do të dëshironte ta arrinte kompletimin e misionit. Me fjalë të tjera, ta ndihmojë Kosovën të lëvizë në institucionet ndërkombëtare, të ketë siguri për shtet funksional, përpjekje për luftim të korrupsionit, pastaj përpjekje për kufizim të ndikimit rus në rajon.

Derisa presidenca Trump është shumë e paqartë, shumë e paparashikuar. Besohet se ai kishte lidhje të afërta biznesore me Rusinë, ai u është shmangur kritikave ndaj Putinit, ai e ka përshkruar NATO-n si potencialisht të vjetëruar... Pra, ka shumë frikë se presidenca Trump, aktualisht, do t’i kthente prapa disa nga përfitimet që janë bërë në rajon gjatë 10 viteve të kaluara. (REL)

  • 16x9 Image

    Fatmir Bujupi

    Fatmir Bujupi, karrierën e gazetarit e filloi në moshën 23 vjeçare në Radio Prishtinë, në vitin 1976, ku punoi për më tepër se 10 vite.  Ka të kryer Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë në Prishtinë. Prej muajit prill të vitit 2000 punon në programin për Kosovën në Radion Evropa e Lirë në Pragë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG