Ndërlidhjet

Kosova uron presidentin Trump dhe popullin amerikan


Qytetarët flasin për zgjedhjet në SHBA
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës kanë uruar popullin amerikan dhe presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar fitoren Donald Trumpit në zgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për katër vitet e ardhshme.

Thaçi ka thënë se miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është bazamenti mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh.

Me anë të një komunikate për media nga presidenca thuhet se presidenti Thaçi, "në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, i ka uruar presidentit të zgjedhur amerikan edhe mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan".

Thaçi ka falënderuar edhe ish-sekretaren Hillary Clinton.

“Sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.

Urime popullit amerikan dhe presidentit Trump i janë adresuar edhe nga tabori opozitar.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan për zgjedhje të mira dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.

“Njëkohësisht urimet më të mira për presidentin e ri Donald Trump, me bindjen e thellë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e tij, do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Kosovës dhe i Ballkanit, në rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore”, thuhet në urimin e Haradinajt.

Kosova e vogël do të vazhdojë të jetë një aleate dhe një mike e Amerikës së madhe, ka nënvizuar Haradinaj.

Po ashtu, edhe Haradinaj i ka shprehur mirënjohje të thellë Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, një mike e madhe e Kosovës, për gjithë çfarë ka bërë për Kosovën.

Edhe kryetari i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, duke uruar presidenti e SHBA-së, Trump, ka thënë se SHBA-të do vazhdojnë ta mbështesin dhe të jenë partner strategjik i Kosovës, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.

"Historikisht, për ne Amerika është vendi dhe populli që vetëm pozitivitet ka ditur të na sjelli në çdo kohë. Kosova do jetë çdo herë mike e mirë e Amerikës. Familja Clinton do jetë çdo moment e dashur dhe e respektuar nga populli ynë, për gjithë kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës", ka shkruar Limaj në rrjetin social Facebook.

Përderisa shprehet simpati dhe adhurim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa qytetarë shqiptarë në Prishtinë, edhe pas zgjedhjes së Donald Trumpit në postin e presidentit të SHBA-ve, nuk e fshehin dëshirën që kanë pasur që Hillary Clinton të zgjidhej presidente.

Fadil Ahmeti thotë se i ka përcjellur hap pas hapi rezultatet e votimit të qytetarëve për president të ShBA-ve.

"Edhe ne, si çdo shqiptar, të gjithë e kemi pritur që Hillary Clinton do të ngadhënjente, do të fitonte. Megjithatë, tash Trump ka fituar. Të zhgënjyer jemi të gjithë, kemi pasur dëshirë që Hillary të fitojë. Jemi të zhgënjyer se kemi pasur dëshirë, do të thotë, që Hillary të fitojë. Trump ka qenë një biznesmen dhe me politikë nuk është marrë kurrë. Hillary është marrë me politikë çdo herë. Megjithatë, ai ka fituar", tha Ahmeti.

Po ashtu, edhe qytetari tjetër, Ylber Durmishi kishte pritur që ish-sekretarja amerikane, Hillary Clinton, të bëhej presidente.

"Nuk e di kush është zgjedhur. Trumpi?? Jo, nuk kam pritur, edhe kam pasur dëshirë që Clinton të zgjidhjet, por fatkeqësisht nuk qenka zgjedhur. Neve na duhet përkrahja, sidomos e Amerikës...se të Evropës po shihet çfarë përkrahje e kemi", tha Durmishi.

Kurse, Sabri Syla, student në Fakultetin Juridik, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e popullit të Kosovës nuk e kanë pritur që Trump të fitojë.

"Shumica e kosovarëve kanë pasur dëshirë që Hillary Clinton të zgjidhej, por nga rezultatet u kuptua se Trump ka fituar", tha Syla.

Në anën tjetër, qytetarë serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës e kanë pritur këtë rezultat dhe shpresojnë që të qetësohen marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Nenad Jevtiq, nga Mitrovica e veriut, mendon se me zgjedhjen e Trumpit për president të SHBA-së nuk do të ketë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme të këtij vendi. Por, ai beson që në nivelin global do të zgjidhen qetësisht disa çështje.

“Mendoj se kjo do të ndodhë. Mendoj që tensionet ndërmjet Rusisë dhe Amerikës, si dhe Amerikës dhe Kinës, do të veniten”, tha Jevtiq.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Bojana Gjorgjeviq.

“Shpresoj që edhe në botë do të qetësohet situata...ndërmjet Rusisë dhe Amerikës”, ka thënë Gjorgjeviq.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara zgjojnë interesim të madh në Kosovë, ku popullata shumicë dhe përfaqësuesit politik e shohin qeverinë dhe popullin amerikan si partner të përhershëm.

Po ashtu, zhvillimet politike në SHBA zgjojnë interesim në Kosovë edhe për faktin se ky vend dhe presidentët e dekadave të fundit kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në çlirimin e Kosovës dhe përfundimin e luftës, duke qenë në rolin prijës të angazhimeve ndërkombëtare kundër politikës që ish-diktatori Sllobodan Millosheviq, që po udhëhiqte në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG