Ndërlidhjet

Në Kosovë vazhdon trendi i përdorimit të pakontrolluar të antibiotikëve


Ilustrim

Kosova prin në Evropë për kah përdorimi i disa llojeve të antibiotikëve, ndërkaq është e dhjeta në Evropë me shkallën e konsumit të përgjithshëm të antibiotikëve të përgjithshëm.

Sipas profesionistëve shëndetësor, rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI.

Rezistencën e shkakton pikërisht përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve. Kjo temë është shndërruar në problem global, ku Kosova nuk bën përjashtim.

Mikrobiologu Lul Raka, njëherazi koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova zë vendin e parë në Evropë, kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh).

“Duhet të punohet në uljen e shkallës së përdorimit të disa antibiotikëve, për të cilët jemi prijës në Evropë. Konsumimi i madh i antibiotikëve ka ndikuar që të rritet shkalla e rezistencës. Për shembull, për dy lloje antibiotikësh në Kosovë ka pasur rritje enorme, nga viti 2001 sa ka qenë 2 për qind, tash është 19 për qind, si rezultati i konsumit’’, ka thënë Raka.

Tutje, Raka përmend edhe disa nga sfidat me të cilën përballet shëndetësia në Kosovë, ndërkohë që si të metë, ai veçon faktin se antibiotikët mund të sigurohen edhe pa përshkrimin dhe rekomandimin e mjekut.

“Sfidat mbeten të njëjta. Antibiotikët ende blihen pa recetë në barnatore, e që si problem po na përcjell vite me radhë. Gjithashtu punëtorët shëndetësorë duhet t’u përmbahen udhëzimeve protokollare”, ka thënë Raka.

Ndërkohë, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se në bazë të hulumtimeve që kanë realizuar në bashkëpunim me institucionet relevante, del se qytetarët nuk janë vetëdijesuar mjaftueshëm për përdorimin e drejtë të antibiotikëve. Jo vetëm që i përdorin pa përshkrim të mjekut, por, thotë ai, edhe mjekët përshkruajnë antibiotikë pa indikacione të mirëfillta.

“Shpesh ndodhë që mjekët përshkruajnë antibiotikë për ftohje të ndryshme, e që antibiotikët nuk kanë kurrfarë efekti, dhe kjo tregon që përdoret në mënyrë të pakontrolluar. Andaj kemi rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve nga mikroorganizma të ndryshëm”, ka thënë Syla.

Edhe vetë qytetarët flasin lidhur me atë se sa e lehtë është të konsumosh antibiotikë pa recetë.

“Më ka ndodhur të blejë antibiotikë pa asnjë problem në barnatore, pa referim të mjekut. Jo që unë e praktikoj të marr antibiotikë për çdo gjë dhe pa konsultë të mjekut, por edhe nëse e kam harru përshkrimin e barnave në shtëpi, farmacisti nuk ma ka kërkuar atë para se të ma shes antibiotikun. E kam blerë pa asnjë vështirësi dhe kjo praktikë ndodhë me njerëz në Kosovë tash e shumë vjet”, ka thënë Fllanza, një 32 vjeçare, me profesion ekonomiste.

Ndryshe, zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tashmë kanë bërë të ditur se futja në fuqi e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligativ respektimin e shitjes së barnave me recetë, sepse pacientët nuk mund t’i blejnë barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet.

Sidoqoftë, nga dita e premtë, në Kosovë po shënohet java botërore e vetëdijësimit për antibiotikët. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG