Ndërlidhjet

Nga 30 mijë vende të premtuara, realizohen më pak se gjysma


Ilustrim
Ilustrim

Në dy vitet e fundit, numri i punëkërkuesve të regjistruar në Kosovë ka arritur në mbi 32 mijë, derisa numri i vendeve të lira të punës të gjetura përmes zyrave të punësimit, gjatë kësaj periudhe, është rreth 25 mijë.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve aktivë, të regjistruar në Kosovë, është mbi 137 mijë.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Rita Hajzeraj.

“Në bazë të statistikave në periudhën janar – tetor 2016, në zyrat e punësimit janë regjistruar 17,480 punëkërkues. Ndërkohë, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë të regjistruar 15, 214 punëkërkues. Përmes Zyrave të Punësimit janë ndërmjetësuar në punësim të rregullt 3,466 persona. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 3,335”.

“Po ashtu, përmes këtyre zyrave të punësimit, brenda dy viteve, janë ndërmjetësuar në programet aktive të tregut të punës mbi 4 mijë punëkërkues. Mbi 7 mijë persona brenda dy viteve kanë qenë pjesë në trajnime profesionale”, thekson Hajzeraj.

Por, këto të dhëna, krahasuar me premtimet elektorale të dhëna nga partitë në pushtet për krijimin e vendeve të reja të punës, nga ekspertët e fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve në vend, nuk janë përmbushur as për së afërmi.

Koalicioni qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar mandatin qeverisës dy vite më parë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, jo vetëm në fushatë, por edhe në plan-programet qeveritare, pati premtuar se për 4 vjet do të punësohen 120 mijë qytetarë, që sipas ekspertëve të ekonomisë, i bie që 125 qytetarë të punësoheshin për çdo ditë pune, pa përfshirë festat, apo në vit do të duhej të punësoheshin 30 mijë persona.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se premtimi i dhënë për krijimin e 120 mijë vendeve të punës ishte një premtim elektoral i pamundshëm dhe i paarritshëm.

“Zbatimi apo përmbushja e këtij premtimi është në fazën fillestare dhe unë nuk besoj që mund të arrihet as 50 për qind në këtë mandat qeveritar”, thekson Rexhepi.

Jostabiliteti politik që ka përcjellur Kosovën gjatë kësaj periudhe, shton Rexhepi, ka pasur efekte negative në ekonomi.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se koalicioni qeverisës është larg objektivave të premtuara në kampanjën zgjedhore.

Në tri vitet e fundit, shton Gërxhaliu, Kosova është ballafaquar me një situatë të rëndë politike dhe agjenda politike ka qenë në fokus të institucioneve të vendit, duke lënë anash agjendën ekonomike.

“Nëse ekonomia nuk është prioritet i prioriteteve, atëherë si mund të krijohen vende të reja të punës. Duhet të kuptohet që kriza ekonomike në Kosovë gjenezën e ka në krizë juridike. Derisa Kosova nuk e zgjedh krizën juridike, ne do të flasim për ekonomi, por do të jemi shumë larg ekonomisë dhe do të jemi shumë larg përmbushjes së premtimeve elektorale”, thekson Gërxhaliu.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se për vitin 2015, niveli i papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind, ndërsa shkalla e punësimit 25.2 për qind.

Gjatë nëntorit 2014 - qershorit 2015, ishte shënuar një fluks i madh i largimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës Perëndimore, ku arsyeja e largimit të këtyre banorëve nga Kosova ishte thënë të ishte papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike e tyre.

Bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik në vend dhe parashikimet e Bankës Botërore, si dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës, shkalla e papunësisë pritet të mbetet e njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme për shkak të nivelit të ulët të rritjes ekonomike. (RFE)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG