Ndërlidhjet

Në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të dhuruesve vullnetar të gjakut.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 85 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 15 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.

Drejtori i kësaj qendre, Hysen Sadriu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me fluksin e dhuruesve vullnetarë dhe rritjen e numrit të tyre prej vitit në vit, parashihet që deri në vitin 2020, kërkesat për gjak të mbulohen vetëm nga dhuruesit vullnetarë.

“Në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut kemi pasur mbi 1.200 dhurues më tepër sesa vitin e kaluar. Sa u përket kërkesave të gjakut dhe produkteve të gjakut, deri më tash të gjitha kërkesat që i ka pasur si nevojë Qendra Klinike Spitalore janë plotësuar. Por, edhe nëpër spitale rajonale i kemimbuluar. Kjo duke iu falënderuardhuruesve vullnetarë, falë humanizmit të tyre që kanë menduar edhe për të tjerët, pa i bërë dëm vetes”, ka thënë Sadriu.

Dhuruesit e gjakut, sipas drejtorit Sadriu, janë të moshave të ndryshme dhe grupeve të ndryshme të gjakut.

Edhe drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare, Myrvete Paçarada, ka thënë se kanë bashkëpunim të mirë me Qendrën e Transfuzionit dhe se asnjëherë nuk kanë mbetur pa gjak, në rast nevoje.

“Kur kemi nevojë për gjak, ne bëjmë kërkesë në Qendrën e Transfuzionit. Nëse nuk kanë ndonjë grup të caktuar kërkojmë nga familjarët. Përndryshe pothuajse gjithmonë na kanë furnizuar me gjak. Arrijmë gjithmonë të marrim gjakun e nevojshëm dhe se pacientët asnjëherë nuk kanë mbetur pa gjak në rast nevoje”, ka thënë Paçarada.

Po ashtu edhe sa u përket raporteve zyrtare me institucionet private shëndetësore, Hysen Sadriu thotë se kanë bashkëpunim të mirë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që ndonjë pacient që trajtohet kudo nëpër spitale, të pësojë për shkak të mungesës së gjakut.

Ndryshe, përpos vullnetarëve të rregullt të gjakut, ka edhe të tillë që vetëm në rast nevoje dhurojnë gjak. Një nga ta është Hysni Krasniqi, të cilin e takuam në transfuzionin e gjakut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Unë nuk jap gjak vazhdimisht, por jap gjak kur dikush ka nevojë. Sa herë që ndonjë familjar ka pasur nevojë, e më ka ndodhur në rast të aksidentit që ka pasur një familjar, kam dhuruar gjak pa hezitim. Edhe nëse dikush më thërret për ndihmë që të jap gjak, prapë pa asnjë dyshim dhuroj. Përndryshe dhurimin e vazhdueshëm nuk e kam praktikuar”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, në Qendrën Emergjente ku fluksi i pacientëve është më i madh, drejtori Basri Lenjani ka thënë se që nga viti 1999, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut janë mbuluar 100 për qind me doza gjaku të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG