Ndërlidhjet

Vdes Fidel Castro - lideri revolucionar i Kubës


Fidel Castro, foto e vitit 2006
Fidel Castro, foto e vitit 2006

Fidel Castro, lideri revolucionar i Kubës, i cili e ka udhëhequr këtë ishull me regjim komunist për afro gjysmë shekulli, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

“Komandanti suprem i revolucionit kuban ka vdekur mbrëmë", tha presidenti aktual, Raul Castro, në televizionin kombëtar.

“Çdoherë përpara, në fitore”, tha Raul Castro, duke mos e dhënë shkakun e vdekjes.

Presidenti Raul, që është i vëllai i Fidel Castros, tha se ai do të varroset të shtunën, sipas dëshirës së tij, ndërsa Kuba do të mbajë disa ditë zie kombëtare.

Fidel Castro ka vuajtur nga një sëmundje serioze e paspecifikuar. Ai ishte tërhequr në korrik të vitit 2006, e pastaj në mënyrë formale pushtetin ia ka kaluar të vëllait, Raul Castro, në vitin 2008.

Për 47 vjet, Fidel Castro e ka udhëhequr këtë ishull si shtet me një parti.

Në vitet e fundit, ai ka shkruar kolumne për mediat shtetërore, por rrallëherë është paraqitur publikisht.

Në muajin prill të këtij viti e bëri paraqitjen e tij më të gjërë publike për vite të tëra, në ditën përfundimtare të Kongresit të Partisë Komuniste të Kubës.

“Së shpejti, unë do të jem si të tjerët. Vjen koha për të gjithë ne, por idetë e komunistëve kubanë do të mbesin si provë se në këtë planet, nëse dikush punon me entuziazëm dhe dinjitet, atëherë ai mund të prodhojë të mira materiale dhe kulturore, që i duhen njerëzimit dhe për këtë duhet të luftohet duke mos u dorëzuar kurrë”, tha Fidel Castro.

I ndjeri Castro ishte figurë qendrore në Luftën e Ftohtë, derisa sundimi i tij ishte shënuar me invadimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i njohur me emrin, Gjiri i Derrave, në vitin 1961, dhe me krizën raketore kubane, pas një viti, që e solli botën shumë afër asaj që konsiderohej se do të ishte luftë atomike.

Nën Fidel Castron, Kuba e mbijetoi embargon e rëndë tregtare të Shteteve të Bashkuara dhe disa komplote për atentat.

Disa vite pas tërheqjes së Castros, në dhjetor të vitit 2014, presidenti kuban, Raul Castro, u pajtua për rivendosjen e lidhjeve diplomatike dhe për përfundimin e periudhës prej disa dekadash të armiqësive me Shtetet e Bashkuara.

Fidel Castro jetoi mjaft gjatë që ta përjetojë vizitën e presidentit amerikan, Barack Obama, në fillim të vitit 2016, që ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në 88 vjet.

Fidel Castro, i cili nuk u takua me zotin Obama, e kishte shkruar një tekst të ashpër duke i dënuar fjalët e “mbuluara me mjaltë” të zotit Obama dhe i kishte përkujtuar kubanët për përpjekjet e shumta amerikane për përmbysjen dhe dobësimin e Qeverisë komuniste të Kubës.

Njoftimi për vdekjen e Fidel Castros ka shkaktuar hare në mesin e mijëra kubanëve që jetojnë në ekzil në Majami të Shteteve të Bashkuara, që kanë brohoritur “Kuba po, Castro jo”!

Castro ishte i admiruar nga shumë persona majtistë në gjithë botën, pasi e konsideronin si vizionar, i cili i qëndroi në mënyrë të paepur dominimit të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine dhe për sjelljen e sistemit shëndetësor dhe arsimor për të varfërit, me ç’rast i inspiroi lëvizjet socialiste në gjithë botën.

Vdekja e Fidel Castros duket se nuk do të sjellë ndonjë krizë, pasi Raul Castro, e ka mbajtur fuqishëm sundimin e tij në dekadën e fundit. Ai i ka mbajtur në shënjestër disidentët, ndërsa i ka kufizuar reformat ekonomike.

Raul Castro ka shprehur përkushtim për t'u tërhequr kur të përfundojë mandati i tij në vitin 2018.

Ai e ka emëruar zëvendëspresidentin e tij, Miguel Diaz-Canel, si pasardhës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG