Ndërlidhjet

Fillon: Më ngrohtë me Rusinë, më ashpër me Islamin radikal


Francois Fillon
Francois Fillon

Francois Fillon do të jetë kandidati konservator në zgjedhjet presidenciale të Francës, më 2017, pasi rivali i tij, Alain Juppe, ka pranuar humbjen.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Fillon ka fituar balotazhin e së dielës me 67 përqind të votave.

Ai ka premtuar se do të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, duke thënë se “Franca do të vërteta dhe veprime”.

“Nëse populli francez ma jep besimin, do të përpiqem ta respektoj atë kontratë dhe ta drejtoj me dinjitet”, ka thënë Fillon.

Juppe, kandidat më i moderuar, ka uruar Fillonin për “fitoren e madhe” dhe është zotuar se do ta mbështesë atë në përpjekjen për t’u bërë president.

Fillon, i cili ka shërbyer si kryeministër në administratën e Nicolas Sarkozysë, shihet si i krishterë tradicional mbi çështjet si aborti dhe martesat e homoseksualëve.

Ai ka propozuar reforma dramatike ekonomike, të cilat përfshijnë reduktimin e 500,000 vendeve të punës, fundin e javës 35-orëshe të punës dhe rritjen e moshës së pensionimit.

Tani vëmendja bie mbi Partinë Socialiste dhe mundësinë që presidenti jo aq popullor, Francois Hollande, të garojë sërish në zgjedhjet e partisë së tij, në muajin janar. Ai ka thënë se do ta shpallë vendimin në ditët e ardhshme.

Kryeministri aktual, Manuel Valls, ka thënë të dielën se nuk e përjashton mundësinë që të garojë kundër Hollande në zgjedhjet e partisë.

Sidoqoftë, në zgjedhjet e prillit, sondazhet e hershme nxjerrin në duel Fillonin dhe kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, është përballur me papunësi të lartë nën presidentin e tanishëm, Hollande, dhe dy vjetët e fundit të mandatit të tij janë shënuar me sulme terroriste, të cilat kanë lënë të vrarë rreth 230 veta.

Fillon kundërshton multikulturalizmin dhe ka bërë thirrje për lidhje më të mira me Rusinë e Vladimir Putinit.

Ai ka mbështetur heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ka thënë se Rusia nuk është kërcënim dhe se duhet të konsiderohet partner në Siri.

Edhe Putin e ka vlerësuar Fillonin si profesionist dhe person që “mban pikëpamjet e tij”.

Fillon po ashtu ka thënë se për të luftuar grupin militant Shteti Islamik, Franca nuk duhet të përjashtojë bashkëpunimin me presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ai ka qëndrim të ashpër kundër Islamit në Francë dhe ka thënë se “Islami radikal është duke korruptuar disa nga qytetarët tanë myslimanë”.

Gjatë verës, ai ka thënë se është në favor të ndalimit të burkinit - rroba islame të larjes - në plazhet franceze.

Fillon mbështet idenë e një “Evrope të kombeve” dhe ka shprehur skepticizëm për rolin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG