Ndërlidhjet

Trump bisedon me lideren tajvaneze, rrezikon lidhjet me Kinën

  • RFE /RL

Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka biseduar me telefon me presidentin e Tajvanit, duke ndërprerë një praktikë diplomatike amerikane prej katër dekadash dhe duke rrezikuar një çarje të madhe në lidhjet me Kinën.

Komunikata e ekipit të Trumpit e publikuar më 2 dhjetor thotë se liderja tajvaneze, Tsai In-Wen, ia ka uruar zgjedhjen zotit Trump.

Të dy liderët kanë nënvizuar “lidhjet e afërta ekonomike, politike dhe ato të sigurisë që ekzistojnë ndërmjet Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë më tej komunikata.

Trump më pas ka shkruar në Twitter ku thotë se liderja tajvaneze e ka thirrur në telefon atë.

Presidentja e Tajvanit më THIRRI MUA sot për t’më uruar fitoren. Faleminderit!”, ka shkruar ai.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, të njëjtën ditë ka thënë se telefonata ka qenë “vetëm një trik i vogël nga Tajvani” dhe ka shtuar se ai nuk beson që kjo sinjalizon ndryshim në politikën amerikane.

“Politika e një Kine është guri themeltar i zhvillimeve të shëndetshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe ne shpresojmë që kjo bazë politike nuk do të dëmtohet apo ndikohet në të”, ka thënë Wang.

Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë kanë reaguar shpejt pas lajmit për bisedën telefonike, duke shprehur shqetësim për lidhjet ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

“Nuk ka ndryshim në politikën tonë afatgjate”, ka thënë Ned Price, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nëpërmjet një e-maili dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Ne mbesim fuqimisht të përkushtuar për politikën e një Kine”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “interesi jonë fundamental është në marrëdhënie paqësore dhe stabile në mes të dy palëve”.

Mediat raportojnë se Shtëpia e Bardhë nuk e ka ditur për bisedën telefonike derisa ajo ka ndodhur.

Ky është kontakti i parë i drejtpërdrejtë ndërmjet liderëve amerikan dhe tajvanez prejse janë prerë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1979, ndërsa Uashingtoni ka vendosur lidhje diplomatike me Kinën.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë këputur në tërësi lidhjet me Tajvanin, derisa janë munduar të balancojnë lidhjet me Kinën.

Biseda telefonike e presidentit të zgjedhur, Trump është veprimi i fundit që e shkel këtë protokoll diplomatik, diçka që po shqetëson Departamentin e Shtetit dhe vëzhgues të shumtë.

Lëvdatat e Trumpit për liderin Pakistanit, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar gjatë javës, ka shqetësuar vëzhguesit e Azisë Jugore, që tani frikësohen se kjo do ta armiqësoj Indinë.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG