Ndërlidhjet

Evropa me sytë kah Italia dhe Austria

  • RFE /RL

Referendumi në Itali

Kontinenti evropian po vëzhgon me kujdes dhe me jo pak shqetësim procesin zgjedhor që po zhvillohet të dielën në dy vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Rreth 51 milionë italianë dhe më shumë se 6.3 milionë austriakë me të drejtë vote, mund të kenë ndikim të madh në kahen jo vetëm të ekonomisë, por tërë fatit të kontinentit të vjetër.

Italianët janë duke votuar në një referendum për ndryshime kushtetuese që në fakt do të përcaktojnë të ardhmen politike të kryeministrit Mateo Renzi.

Votimi gjithashtu mund të ketë ndikim të madh edhe në tregun financiar të tërë Evropës.

Fleta e votimit i pyet italianët nëse duan t’i pranojnë ndryshimet kushtetuese që i japin më shumë pushtet kryeministrit Matteo Renzi. Ky i fundit, një politikan pro-evropian, kërkon marrjen e disa kompetencave nga Dhoma e lartë e Senatit me qëllim që të shtyjë para reforma ekonomike.

Kryeministri Renzi ka thënë se do të japë dorëheqje nëse nuk arrin që të marrë miratimin e popullatës për këto ndryshime kushtetuese. Ai, gjithashtu, dëshiron të marrë pushtet nga autoritetet rajonale nëpërmjet referendumit të së dielës.

Tregu financiar në tërë Evropën po shikon me frikë nëse fitojnë partitë opozitare, të cilat kundërshtojnë masat e reja. Tregu financiar u frikësohet trazirave të reja në bankat italiane, të cilat edhe ashtu nuk janë të fuqishme dhe rrjedhimisht mund të çojnë eurozonën drejt një krize të re.

Partitë kundër BE-së po iu kërkojnë italianëve të votojnë “jo” në referendum me shpresën se kjo do ta largojë Renzin nga posti i kryeministrit dhe kështu të hapet rruga që Italia të largohet nga eurozona dhe eventualisht nga Bashkimi Evropian.

Austriakët, gjithashtu, po i u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet presidenciale që në këtë shtet po përsëriten, pasi rezultati i zgjedhjeve të mbajtura gjatë verës, u kontestua me vendim gjykate.

Edhe ky votim mund të ketë ndikim të madh në tërë kontinentin evropian pasi një nga dy kandidatët që mund të bëhet president është Norbert Hofer, një politikan i së djathtës ekstreme.

Kandidati i së djathtës ekstreme, Norbert Hofer, po përballet me kandidatin e pavarur, Alexander Van der Bellen në zgjedhjet për president të ri të Austrisë.

Sondazhet para votimit tregojnë se rezultati është shumë i ngushtë.

45-vjeçari, Hofer, ka dalë si kandidat kyç nga Partia e Lirisë që i përket krahut të ekstremit të djathtë.

Ai e ka kërkuar votën për krijimin e një “Austrie të sigurt” për “fëmijët dhe nipërit e mbesat” e austriakëve.

Nëse fiton, atëherë Hofer bëhet i pari politikan i të djathtës ekstreme që bëhet udhëheqës i një vendi anëtar të BE-së.

72-vjeçari, Van der Bellen po kandidon si i pavarur, por ai megjithatë e ka përkrahjen e Partisë së Gjelbër, kryetar i së cilës ishte më parë. Ai ka punuar si profesor i ekonomisë, ndërsa shpesh e ka quajtur veten “fëmijë i refugjatëve”.

Ai e përkrahë fuqishëm Bashkimin Evropian si dhe politikat liberale për migrantët.

Hofer, i cili është trajnuar për të qenë inxhinier i aeronautikës, ka premtuar që “ta vërë Austrinë të parën” duke vendosur kontrolle më të ashpra kufitare dhe duke ndaluar gratë myslimane të mbajnë “burkën” në publik, veshjen islamike që mbulon tërë trupin dhe kokën.

Hofer, gjithashtu, iu ka thënë votuesve se “Islami nuk ka vend në Austri”, ndërsa ka kërcënuar se do ta pezullojë qeverinë, nëse nuk miraton politika më të ashpra ndaj migrantëve nga Lindja e Mesme.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG