Ndërlidhjet

Obama paralajmëron kundër “premtimeve të rreme” për ta shkatërruar terrorizmin

  • RFE /RL

Obama gjatë adresimit të mbrëmshëm në Florida

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje ta çrrënjosin terrorizmin me rritje të fuqisë ushtarake, në një referencë që ishte e drejtuar në pasardhësin e tij, presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Në fjalimin e tij final për luftën kundër terrorizmit, derisa është në postin e presidentit amerikan, zoti Obama mbrëmë theksoi se derisa administrata e tij ia ka prerë kokën Al-Kaidës, duke e bërë “hije të ish-vetvetes” dhe e ka hedhur në defensivë grupin, Shteti Islamik, ai beson se terrorizmi do të mbetet kërcënim për Shtetet e Bashkuara për vitet që vijnë.

“Në vend të ofrimit të premtimeve false se ne mund ta eliminojmë terrorizmin, duke hedhur më tepër bomba ose duke vendosur më tepër e më tepër trupa, ose duke e ndarë vetveten nga pjesa tjetër e botës, ne duhet ta marrim pikëpamjen afatgjatë për kërcënimin terrorist dhe ne duhet të zhvillojmë strategji të mençur që do të ishte e qëndrueshme”, tha Barack Obama.

Ai ka theksuar se terroristët “nuk paraqesin kërcënim ekzistencial” për Shtetet e Bashkuara, por pasi militantët janë infiltruar në shumë vende jashtë Lindjes së Mesme dhe kanë krijuar simpatizues në Perëndim, beteja kundër tyre ka pak gjasë që të përfundojë “me fitore të definuar qartë”.

Më 20 janar, Barack Obama largohet nga presidenca, ndërsa inaugurohet presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili gjatë fushatës zgjedhore ishte tejet kritik për qasjen e administratës Obama në luftimin e terrorizmit.

Zoti Trump ka thënë se Obama dhe kandidatja demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, janë “bashkëthemelues” të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, duke i fajësuar se kanë lënë vakuum për shkak të tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku, në vitin 2013, pasi kjo ka lejuar që të formohet IS-i dhe me të shpejtë të marrë territore të gjëra.

Megjithatë, presidenti i zgjedhur ka dhënë pak detaje se si ai do t’i luftojë grupet ekstremiste, duke argumentuar se paqartësia dhe paparashikueshmëria nuk lejojnë që kundër armikut të planifikohet paraprakisht. Por, ka shenja që sugjerojnë se ai do të ndërmerr qasje më të fuqishme ushtarake, përfshirë zgjedhjen e tij të gjeneralëve luftarakë për ta udhëhequr Departamentin e mbrojtjes dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Shtëpia e Bardhë tha se fjalimi i zotit Obama ishte planifikuar shumë më herët para 8 nëntorit, kur fitoi Donald Trump, por duket se presidenti Obama është marrë me Trumpin në komentet e tij.

Obama, mëtutje, ka theksuar se është me rëndësi që të respektohet legjislacioni dhe vlerat amerikane dhe kërcënimi nga sulmet terroriste të mos përdoren për hetime me torturë ose imponim të testit fetar të imigrantëve, që janë dy qëndrime të mbrojtura nga zoti Trump.

“I gjithë objektivi i këtyre terroristëve është për të na frikësuar neve dhe për ta ndërruar atë se kush jemi ne dhe demokracinë tonë”, tha Barack Obama, duke shtuar se “ne jemi vend që është definuar nga shpresa e jo frika dhe ne mund t’i mundim këta terroristë dhe të qëndrojmë ata që ne jemi realisht”. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG