Ndërlidhjet

Të diplomuar, por të papërgatitur të hyjnë në tregun e punës


Ilustrim - Studentë të Universitetit të Prishtinës
Ilustrim - Studentë të Universitetit të Prishtinës

Bizneset në Kosovë thonë të jenë në hall më punëtorët e kualifikuar, të cilët nuk i posedojnë njohuritë e mjaftueshme për të kryer punë për të cilën ata punësohen.

Në shumë raste, sipas pronarëve të bizneseve, ata detyrohen të angazhojnë staf trajnues nga jashtë, për t’i përgatitur apo aftësuar punëtorët e tyre, sado që këta të fundit kanë një përgatitje të lartë shkollore.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shumë të punësuar në kompaninë e tij nuk kanë pasur njohuri të duhur për të zotëruar punën që u është ofruar.

“Me punëtorët e thjesht nuk kemi probleme, por problemet paraqiten me punëtorë profesional, të cilët përfundojnë shkollat e ndryshme, si për shembull përfundojnë fakultetin ekonomik apo fakultetet tjera. Më të vërtetë nuk kanë njohuri adekuate, edhe pse i kanë të përfunduara studimet dhe patjetër duhet të merret dikush me ta, të trajnohen, të vazhdohet një shkollim apo në kuadër të fabrikës i trajnojmë ata”, thekson Piraj.

Ai tregon se për një numër të madh të punëtorëve të kualifikuar është dashur trajnim shtesë, deri në 1 vit, për t’i aftësuar për një punë të caktuar.

Të gjitha këto, thekson Piraj, kanë paraqitur probleme të mëdha në biznesin e tij.

“Problemi është shumë i madh, sidomos kur ka tendenca që biznesi të zgjerohet. Nuk ka mundësi të gjetjes së menjëhershme të punëtorëve që do të ishin në gjendje të menaxhonin punën e caktuar”, thotë Piraj.

Me problemin e punëtorëve të kualifikuar e që nuk janë të përgatitur për tregun e punës përballet edhe kompania “Frutex”, që merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike.

Shaqir Palushi, pronar i kësaj kompanie, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai ka angazhuar ekspertë nga jashtë për përgatitjen e punëtorëve, të cilët i ka punësuar.

“Fatkeqësisht, shumicën prej punëtorëve të cilët i kemi punësuar këtu kanë qenë pa përvojë, jo me fajin e tyre, por për shkak të formës së arsimimit që ata kanë marrë. Shumica prej tyre e kanë pasur vetëm pjesën teorike dhe jo atë praktike. Kjo ka paraqitur problem dhe vështirësi tek ne. Na është dashur t’i trajnojmë, në mënyrë që të sistemojnë në vendet e caktuar të punës”, thekson Palushi.

Për mospërgatitje të duhur për tregun e punës flasin edhe studentët.

Marigona Tabaku, e cila ndjek studimet Master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të jesh e përgatitur për tregun e punës pa pasur edhe anën praktike.

“Si një juriste, ato që i lexoj në teori nuk janë të mjaftueshme për t'i zbatuar në praktikë, dhe po na duhet shumë punë për t’u profesionalizuar në profesionin tonë”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Shqiprjane Maliu, studente në Universitetin e Prishtinës.

“Njohuritë që i marrim në fakultet nuk janë të mjaftueshme. Varet edhe çfarë pune bën dhe çfarë profesioni zgjedh, dhe mendoj që nuk arrin që vetëm me fakultet të kyçesh në tregun e punës. Duhet të pajisesh edhe me më shumë njohuri edhe pas fakultetit”, thekson ajo.

Punësimi - preokupimi më i madh i të rinjve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Çdo vit, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG