Ndërlidhjet

Klinika Emergjente, me shumë pacientë e pak kapacitete


Qendra Emergjente QKUK

Në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për 11 mujorin e vitit 2016 kanë kërkuar ndihmë mbi 52 mijë persona, çka ka shënuar numrin enorm të shërbimeve emergjente, ka deklaruar drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani.

Kjo klinikë është qendër terciare referente për tërë Kosovën. Ndonëse e tillë ajo në vazhdimësi është përballur me probleme të ndryshme, si mungesë barnash nga lista esenciale, mungesë stafi të mesëm, si dhe mungesë hapësire të nevojshme për trajtimin e pacientëve.

Me gjithë vështirësitë, aty janë trajtuar mbi 52 mijë raste, prej të cilave vetëm pacientë të aksidentuar kanë qenë 4.791 veta, që ka shënuar rritje për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Por, sipas Basri Lenjanit, numri i të vdekurve në këtë klinikë, të cilët janë sjellë aty si pasojë e aksidenteve në komunikacion, ka shënuar rënie, krahasuar me vitin e kaluar.

“Sa i përket barnave, në klinikë nuk ka ndodhur që të mbesim pa barna jetëshpëtuese, por barnat e rendit të dytë dhe tretë gjithmonë kanë munguar. Lista esenciale e ka arritur maksimumin e përmbushjes me rreth 55 për qind. Asnjëherë nuk ka pasur furnizim më të mirë”, ka thënë Lenjani.

Për mungesën e barnave flasin edhe qytetarët, të cilët kanë pasur nevojë trajtimi në institucionet e shëndetit publik, qoftë për vete apo familjarët e tyre.

Një qytetar me emrin, Adhurim Hoxha ka thënë se të gjithë e dinë problematikën në sistemin shëndetësor dhe mungesën e barnave.

“Edhe fondet që janë marrë për blerjen e barnave, mendoj se ka pasur zbrazësi, dhe shumë prej tyre kanë munguar. Do të thotë edhe këtu ka pasur keq-menaxhim e korrupsion. Andaj ju ka mbetur qytetarëve t’i blejnë vetë barnat”, ka thënë Hoxha.

Një problem tjetër që e përcjell Klinikën Emergjente është edhe mungesa e infermierëve.

Sipas zyrtarëve, kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, duke u nisur nga mungesa e kushteve për punë, pagave të ulëta dhe fluksit të papërballueshëm të pacientëve në kushte të vështira.

Zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka bërë të ditur se të gjitha njësitë e shërbimit spitalor kanë nevojë për pranim të infermierëve shtesë.

“Në bazë të kërkesave dhe nevojave duhen edhe 500 infermierë shtesë për t’i plotësuar në tërësi nevojat. Ndërkohë, që me urgjencë kërkohen 50 prej tyre. Por, për shkak të mungesës së buxhetit, tash për tash kjo mbetet e pamundur”.

“Sidomos te Klinika Emergjente vërehet mungesa e madhe, ndonëse u jepet përparësi. Ndoshta do të zbutej kjo gjendje edhe me 150 infermierë, por në tërësi duhen 500 sosh”, thotë Fazliu.

Ai ka shprehur shpresën që me Ligjin për buxhetin e vitit 2017, do të merren parasysh kërkesat dhe nevojat e QKUK-së për të lejuar punësimin e infermierëve të rinj.

Në anën tjetër, edhe Basri Lenjani ka pohuar se pavarësisht kërkesës së vazhdueshme në drejtorinë ekzekutive për plotësimin e vendeve të lira të infermierëve në Klinikën Emergjente, këto kërkesa nuk janë plotësuar për shkak të mungesës së buxhetit.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjatë gjithë vitit ka pasur mungesë të gjërave elementare.

Ai ka nënvizuar, po ashtu, se nuk ka pasur cilësi të lartë të shërbimeve, ndonëse stafi është munduar që në bazë të mundësive të ofrojë shërbime të mira për pacientët.

“Kërkesat tona kanë qenë në mënyrë permanente për luftimin e dukurive negative, siç janë blerja e ilaçeve dhe materialit shpenzues, shumëfish më shtrenjtë se çmimi real i tyre. Është njëra ndër ofertat tona që e kemi bërë pikërisht për ta luftuar korrupsionin e që dihet se ai është në nivelet e larta”, ka thënë Selmani.

Ndryshe, Klinika Emergjente aktuale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka një sipërfaqe prej rreth 507 metrash katrorë dhe posedon 22 shtretër, gjë që, sipas Basri Lenjanit, drejtor i kësaj klinike, nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.

Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Klinikës Emergjente është hartuar qysh në vitin 2007, derisa thuhet se vitin tjetër, do të fillojë ndërtimi i saj. Klinika e re, besohet se do të lëshohet në funksion në fund të vitit 2018.

“Ne mendojmë që deri në vitin 2018, Klinika Emergjente do të ballafaqohet në mungesë të kapaciteteve hapësinore, mirëpo pavarësisht kësaj ideja e Klinikës Emergjente është duke u realizuar në vazhdimësi”, ka thënë Lenjani.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka deklaruar se gjatë këtij viti ka pasur edhe shkurtime të buxhetit aktual të paraparë për një vit, e që ai i ka paraqitur si shqetësime edhe te kryeministri dhe ministri i Financave.

Buxheti i planifikuar për shëndetësinë në Kosovë, as për vitin 2017 nuk parasheh ngritje. Ky buxhet ka mbetur i njëjtë me këtë vit, që kap vlerën prej 180 milionë euro.

Profesionistë shëndetësorë, por edhe udhëheqës të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thonë se me buxhetin e ndarë për vitin e ardhshëm, shëndetësia do të vazhdojë të përballet me shumë sfida, sikur edhe vitet paraprake.

Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tashmë kanë thënë disa herë se gjatë këtij viti qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro.(REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG