Ndërlidhjet

Trump kritikon konkludimet e CIA-s për sulmet kibernetike ruse

  • RFE /RL

Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka kritikuar konkludimin e Shërbimit amerikan të Inteligjencës, CIA, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke thënë se kjo po përdoret nga demokratët amerikanë “si një tjetër justifikim” për humbjen e Hillary Clintonit.

Komentet e Trumpit janë bërë në kohën kur janë rritur shqetësimet nga zyrtarë të lartë të Kongresit për hetim më të thellë rreth sulmeve kibernetike të Rusisë dhe qëllimeve të këtyre sulmeve.

Deklarimet e Trump janë bërë dy ditë pasi zyrtarë të inteligjencës amerikane janë cituar duke thënë se ata “kanë besim të lartë” se ‘hakerët’ rusë nuk i kanë pasur cak vetëm organizatat e Partisë Demokratike dhe udhëheqësit e saj, por e kanë pasur qëllim që edhe të minojnë Clintonin.

“Unë mendoi që kjo është qesharake. Mendoi që kjo është vetëm një justifikim tjetër. Nuk e besoj”, i ka thënë Donald Trump televizionit amerikan, “Fox News”.

Trump ka një kohë të gjatë që thotë se shteti prapa sulmeve kibernetike mund të jetë Kina apo ndonjë “haker” i rastësishëm që ka kryer sulmet derisa ka qenë i ulur në divan.

Gazeta amerikane, “The Washington Post”, më 9 dhjetor ka raportuar se “hakerët” rusë kanë ndërhyrë në zgjedhje për të ndihmuar Donald Trump që të fitojë presidencën dhe jo vetëm për të minuar besimin në sistemin zgjedhor amerikan.

“Është vlerësimi i komunitetit të inteligjencës se qëllimi i Rusisë ka qenë që të favorizojë një kandidat, për të ndihmuar Trumpin që të zgjidhet”, gazeta në fjalë e ka cituar të ketë thënë një zyrtar i lartë amerikan, që ka folur në kushte anonimiteti.

I njejti ka thënë se është informuar gjatë një prezantimi të të dhënave sekrete që iu është bërë senatorëve.

Ndërkaq, gazeta “The New York Times” raporton se zyrtarët e inteligjencës kanë arritur në përfundimin se “hakerët” rusë kanë ndërhyrë edhe në kompjuterët e Partisë Republikane, por ata nuk kanë publikuar asnjë email dëmtues apo ndonjë material të tyre, njejtë, siç besojnë shumë njerëz, se ata bënë me të dhënat e demokratëve.

Kjo ka shtyrë analistët të besojnë se qëllimi i “hakerëve” rusë në fakt ka qenë që të ndihmojnë Trumpin të fitojë Shtëpinë e Bardhë, shkruan më tej “The New York Times”.

Por, udhëheqësi i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, i cili do të jetë shefi i stafit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, për televizionin amerikan ABC ka thënë mbrëmë se asnjë kompjuter i partisë apo informacion tjetër nuk ka qenë viktimë e sulmeve kibernetike.

Sipas tij, kjo është konfirmuar edhe nga FBI-ja.

Një grup i senatorëve demokratë, gjatë javës së kaluar, i ka bërë thirrje presidentit Barack Obama që të ofrojë më shumë detaje rreth sulmeve potenciale kibernetike ruse.

Obama duket se është pajtuar me kërkesën, pasi më 9 dhjetor ka njoftuar se ai ka urdhëruar një rishikim të madh të sulmeve kibernetike gjatë fushatës, por duke paralajmëruar se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë apo zgjedhjet.

Ndërkohë, katër senatorë, dy prej të cilëve janë republikanë me pozita udhëheqëse, raportin për sulmet kibernetike ruse e kanë quajtur alarmues, ndërsa kanë bërë thirrje për hetim që e ka miratimin e dy palëve, republikanëve dhe demokratëve.

“Për vite të tëra, armiqtë e huaj kanë bërë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës fizike, ekonomike dhe asaj ushtarake amerikane, duke vjedhur pronën tonë intelektuale”, thuhet në komunikatën e 11 dhjetorit, të nënshkruar nga senatorët republikanët, John McCain dhe Lindsey Graham dhe demokratët, Jack Reed dhe Chuck Schumer.

“Tani, institucionet tona demokratike janë sulmuar. Raportimet e fundit të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet tona duhet të alarmojnë çdo amerikan”, thuhet më tej në këtë deklaratë.

McCain dhe Graham janë të zëshëm në kritikat e tyre ndaj Kremlinit dhe politikat e jashtme të presidentit rus, Vladimir Putin, një qëndrim i kundërt me atë që e ka mbajtur Donald Trump.

Schumer, ndërkohë, është demokrati kryesor në Senat, ndërsa Reed është demokrati kryesor në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, krahas McCainit dhe Grahamit, që gjithashtu janë në të njejtin komitet. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG