Ndërlidhjet

Raportohen “përleshje intensive në çdo vijë të frontit” në Alepo


Marrëveshja për evakuimin e luftëtarëve rebelë dhe civilëve nga Alepo duket se ka ngecur si pasojë e luftimeve të ashpra dhe granatimit që raportohet se po ndodhë në qytetin sirian.

Organizata me seli në Londër, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, e ka konfirmuar granatimin dhe “përleshjet intensive në çdo vijë të frontit” në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve në pjesën lindore të Alepos.

Sulmet ajrore nga forcat qeveritare siriane gjithashtu kanë goditur copëza të territorit që ende kontrollohen nga rebelët, njofton e njejta organizatë.

Televizioni shtetëror sirian raporton se granatimi nga rebelët i lagjës Bustan Al-Qasr, që kontrollohet nga qeveria, ka vrarë gjashtë persona dhe ka lënduar disa të tjerë.

Marrëveshja e armëpushimit është arritur më 13 dhjetor, por evakuimi i planifikuar i njerëzve nga Alepo lindore për te zonat e kontrolluara nga rebelët në Sirinë veriore nuk është bërë fare.

Ministria e brendshme e Rusisë thotë se forcat qeveritare kanë vazhduar sulmet e tyre, pasi rebelët, sipas këtij njoftimi, e kanë shkelur armëpushimin e arritur nga Turqia dhe Rusia.

Në Ankara, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i ka akuzuar forcat qeveritare siriane si shkelëse të armëpushimit.

Ai ka thënë se do të flasë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin rreth situatës në Alepo, të cilën e ka përshkruar si “shumë të brishtë dhe të komplikuar”.

Komentet janë bërë pasi kryediplomati turk, Mevlut Çavushoglu, ka thënë se qeveria e presidentit sirian, Bashar al Assad, dhe aleatët e tij po bëjnë përpjekje që të fundosin marrëveshjen e armëpushimit.

“Tani ne po shohim që regjimi dhe grupe të tjera po bëjnë përpjekje që të pengojnë marrëveshjen. Kjo përfshinë Rusinë, Iranin, forcat e përkrahura nga Irani dhe regjimi sirian”, ka thënë Çavushoglu.

Assadi e ka përkrahjen e sulmeve ajrore ruse dhe disa grupeve milicore Shiite nga Irani dhe Libani në fushatën e nisur për të rikthyer kontrollin e plotë mbi Alepo, qyteti sirian që ishte më i populluari para luftës pesë vjeçare civile.

Ndërkohë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se ai pret që rezistenca e rebelëve në Alepon lindore të marrë fund “brenda dy apo tri ditëve të ardhshme”.

Rreth 6 mijë civilë, përgjatë 24 orëve të fundit janë larguar nga qarqet që kontrollohen prej rebelëve, ka njoftuar ministria ruse e mbrojtjes më 14 dhjetor.

Në këtë njoftim gjithashtu thuhet se 366 rebelë kanë dorëzuar armët në përiudhën e njejtë dhe tani janë larguar nga zona që kontrollohet prej rebelëve.

OKB-ja ndërkaq ka thënë se ka prova të besueshme se në katër zona të Alepos lindore, janë vrarë 82 civilë. Zëdhënësi për çështje humanitare i OKB-së, Jen Laerke, tha se në Alepo duket sikur ka "kolapsim të plotë të humanitetit".

Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Sirisë, ashtu si edhe ato të Rusisë dhe Iranit, janë përgjegjëse për mizoritë e kryera në qytet. Damasku dhe Moska i kanë hedhur poshtë akuzat.

Akuza të rënda jo vetëm ndaj Rusisë dhe Sirisë, por edhe Iranit ka hedhur mbrëmë ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, gjatë një takimi të tensionuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Alepo.

Power i drejtohet ashpër Rusisë, Iranit dhe Sirisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

"Ky është laku juaj, i tre vendeve anëtare të OKB-së që po kontribuojnë për lakun e vendosur ndaj civilëve. Kjo duhet t’iu turpërojë juve. Por, përkundrazi ju po trimëroheni. Tani po planifikoni sulmin e radhës. A jeni me të vërtetë kaq të pa turp? A është e vërtetë që tekstualisht asgjë nuk iu turpëron? A nuk ka ndonjë vepër e barbarizmit kundër civilëve, ekzekutimi i një fëmije që nuk iu rrëqeth sado pak? A ka diçka për të cilën nuk do të gënjenit apo arsyetonit?”, ka thënë Ambasadorja amerikane në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke iu drejtuar Rusisë, Sirisë dhe Iranit.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ambasadori rus, Vitali Çurkin.

"Deklarata e përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara dukej veçanërisht e çuditshme për mua. Ajo mbajti fjalim këtu sikur të ishte Nëna Terezë. Ju duhet të kujtoni se çfarë shteti ju e përfaqësoni, duhet të kujtoni të gjitha ato që i ka bërë shteti juaj, dhe vetëm atëherë të flasësh nga pozicioni i një autoriteti moral apo ndonjë superioriteti tjetër”, ka reaguar ambasadori rus në OKB, Çurkin. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG