Ndërlidhjet

Kosova zyrtarisht bëhet me kodin telefonik +383


Kodi telefonik i Kosovës
Kodi telefonik i Kosovës

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka konfirmuar se nga sot, Kosova është bërëme kod telefonik ndërkombëtarë 383, të cilin, ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve) ia ka ndarë edhe zyrtarisht.

“Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën me shkrim të ministres Tahiri.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka uruar qytetarët e vendit për marrjen e kodit telefonik.

“Republikës së Kosovës i është alokuar kodi telefonik ndërkombëtar +383. Kosova ka shënuar një arritje të madhe duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë. Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit. Përfitimet ekonomike të Republikës së Kosovës do të jenë milionëshe”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Kodi +383 është thënë se me fillimin e zbatimit do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.

Ky proces, siç kanë deklaruar kohë më parë autoritetet e Kosovës, do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

XS
SM
MD
LG