Ndërlidhjet

Tahiri: Kosova pronare e kodit - shuhen të gjitha kodet tjera


Ilustrim

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha të enjten se me kodin telefonik Kosova ka fituar identitetin shtetëror dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë në fushën e telekomit.

“Kosova është pronare e kodit. Kosova administron vetë me kodin telefonik. Kosova do të bashkëpunojë direkt me ITU-në për implementimin e kodit telefonik. AKREP është kompetente për zbatimin teknik të kodit. Kosova do ta ketë vetëm një kod, +383. Do të shuhen të gjitha kodet ekzistuese”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, ka bërë të ditur se thirrjet dhe daljet telefonike në gjithë botën do të jenë thirrje ndërkombëtare.

“Thirrjet në mes Republikës së Kosovës dhe gjithë botës, por edhe Serbisë do të jenë thirrje ndërkombëtare edhe në thirrje edhe në dalje. Po ashtu, marrëveshjet e roamingut dhe interkoneksionit me Serbinë, si dhe me të gjitha vendet e botës do të jenë ndërkombëtare. Në këtë rast do të eliminohen të gjitha vështirësitë në menaxhimin e trafikut në hyrje dhe dalje”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se do të shuhen operatorët ilegalë të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, që kanë vepruar që nga përfundimi i luftës, si dhe do të eliminohen të gjitha interferencat e shkaktuara nga operatorët ilegal, që kanë krijuar probleme të mëdha për operatorët aktual të telefonisë.

Thirrjet me kodin +383 në fillim të vitit 2017

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) ka ndarë kodin telefonik +383 për Kosovën, pas një marrëveshjeje të arritur në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përtelekomunikacionin, me lehtëismin e BE-së, që u përmbyllë javë më parë.

Autoritetet në Kosovë marrjen e kodit e kanë konsideruar arritje historike për fushën e telekomit dhe kanë thënë se “kodi telefonik fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka konfirmuar se Kosova është bërë me kod telefonik ndërkombëtar +383.

“Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën me shkrim të ministres Tahiri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se me marrjen e kodit telefonik përfitimet ekonomike të Republikës së Kosovës do të jenë milionëshe.

“Republikës së Kosovës i është alokuar kodi telefonik ndërkombëtar +383. Kosova ka shënuar një arritje të madhe duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë. Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit. Përfitimet ekonomike të Republikës së Kosovës do të jenë milionëshe”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Por, drejtori i Postë Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka folur për periudhën e zbatimit të këtij kodi, që sipas tij, është një periudhë transitore jo edhe e lehtë.

“Nga aspekti tjetër fillon procesi i tranzicionit ku tre kodet telefonike që janë në shfrytëzim do të fillojnë të eliminohen deri në një kohë të ardhme që mendohet një periudhë transitore prej 16 muajve deri në 24 muaj që dhe të kalojmë në kodin +383”.

“Periudha transitore nuk është e lehtë ka procese të ndryshme teknike, teknologjike dhe migrime brenda këtyre proceseve dhe platformave të ndryshme, por është një proces që duhet të menaxhohet me një përkushtim të lartë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se në pjesën e parë të vitit 2017, do të mund të realizohen thirrjet e para me kodin e ri telefonik.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë.

Përdorimi i këtyre kodeve sipas drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa, ka shkaktuar kosto të lartë, të cilat tani do të eliminohen.

“Deri më sot, si telekom, ne emër të shfrytëzimit të kodit telefonik të Monakos kemi paguar 200 milionë euro të cilat kanë shkuar në drejtim të telekomit të Monakos. Në të ardhmen për një periudhë të caktuar së paku 100 milionë euro mund të ndalen në vend dhe të investohen në projekte të ndryshme brenda vendit”, ka bërë të ditur Mustafa.

Në bazë të marrëveshjes për telekomunikacionin, Kosova ka marrë kodin ndërkombëtar +383, nga ITU, pas një kërkesë që i ka parashtruar Serbia.

Derisa, bazuar në këtë marrëveshje, Kosova obligohet që të japë një leje të përkohshme dhe të kufizuar për një operator të telefonisë mobile serbe, MTS.d.o., e cila thuhet se do të duhet të regjistrohet sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG