Ndërlidhjet

Facebook fillon “luftën” kundër lajmeve të rreme


Ilustrim
Ilustrim

Rrjeti social, Facebook, ka njoftuar fillimin e masave për të ndaluar përhapjen e lajmeve të rreme, si përgjigje ndaj presionit çdo herë në rritje për luftë kundër keqpërdorimeve që janë bërë gjatë fushatës presidenciale amerikane.

Më 15 dhjetor, Facebook ka njoftuar se përdoruesit e saj mund të shënojnë faqe të dyshimta në lajmet që i shohin në profilet e tyre, si informacione të rrejshme, ndërsa të njejtën kohë do të rrisë bashkëpunimin me organizata si ABC News dhe Associated Press, me qëllim të identifikimit të faqeve autentike.

Nëse kompanitë mediale identifikojnë ndonjë artikull si falsifikim, Facebook është zotuar se tekste të tilla do të shenjohen si “e kontestuar”, krahas linkut që do të vendoset në të, që e sqaron pse është marrë një vendim i tillë.

Kompania me rreth 1.8 miliardë përdorues në tërë botën, artikujt e tillë do i vendos më poshtë në bllokun e lajmeve, ndërsa në momentin kur një prej tyre verifikohet si lajm i rrejshëm, atëherë ky i fundit nuk ka mundësi të zë vend të rëndësishëm në listën e lajmeve.

Zëvendëspresidenti i Facebook, Adam Mosser, ka thënë se kompania do të përqëndrohet tek rastet “më të këqija prej të kqijave”, prej atyre që “përhapin gënjeshtra për përfitim të tyre”.

Para disa ditësh, udhëheqësi i kompanisë, Mark Zucerberg, e ka cilësuar absolutisht “ide të çmendur” pretendimin se përhapja e lajmeve të rrejshme apo mashtruese në Facebook e ka ndihmuar kandidatin republikan, Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Para zgjedhjeve, në mesin e shumë lajmeve të rrejshme që janë përhapur në Facebook, ka qenë edhe lajmi “Papa Françesku e përkrah Trumpin, ndërsa agjenti i sigurisë që i ka ofruar mbrojtje kandidates demokrate, Hillary Clinton, është gjetur i vdekur”.

Hulumtimi i kryer në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit ka zbuluar se lajmi për vdekjen e oficerit të FBI-së (Byrosë Federale të Hetimeve) është përhapur me mijëra herë më shumë sesa teksti aktual që në të njejtën kohë është publikuar nga mediat e rëndësishme.

“Që gjërat të jenë më të qarta, nëse krahasoni tekstet më të mira që janë publikuar nga Boston Globe, Washington Post, Chicago Tribune dhe LA Times”, ato janë lexuar vetëm nga 5 % e atyre që kanë lexuar lajmin e rrejshëm”, ka shkruar në blogun e tij, autori i hulumtimit, Mike Caulfield.

Mirëpo, derisa ata që luftojnë për të vërtetën dhe profesionalizmin medial e kanë përshendetur vendimin e Facebook-ut, disa autorë konservatorë të ekstremit të djathtë e dënojnë atë dhe e quajnë përpjekje për të zvogëluar ndikimin e portaleve të ashtuquajtura alternative të lajmeve.

“Grupi i portaleve të majta, jashtëzakonisht i anshëm, do ta varros mendimin ndryshe”, ka shkruar në profilin e tij në Twitter, Paul Joseph Watson, kryeredaktori i portalit të ekstremit të djathtë, “Infowars”. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG