Ndërlidhjet

Turqi: Gyleni fajësohet për vrasjen e ambasadorit rus

  • RFE /RL

Fethullah Gylen

Turqia i ka informuar Shtetet e Bashkuara se beson se mbështetësit e klerikut mysliman, Fethullah Gylen, me seli në SHBA, ishin përgjegjës për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara.

Agjencia shtetërore turke, Anadolu, ka raportuar mbrëmë se ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i ka thënë sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, gjatë një bisede telefonike se “Turqia dhe Rusia kanë dijeni se (organizata e Gulenit) ka dorë në sulm”, nga i cili u vra ambasadori rus, Andrei Karlov.

Turqia kishte kërkuar ekstradimin e klerikut Gylen, që jeton në ekzil në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, lidhur me puçin e dështuar ushtarak kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në muajin korrik të këtij viti.

Ankaraja është e zemëruar pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ka insistuar që të ketë dëshmi bindëse për fajësinë e zotit Gylen, para se të veprojë lidhur me kërkesën për ekstradim.

Prej se Shtetet e Bashkuara ishin të ngadalshme në përgjigjen lidhur me kërkesën turke për ekstradim, disa zyrtarë në Ankara, gjatë ditëve të fundit, kanë sugjeruar se Uashingtoni e ka mbështetur vrasjen e ambasadorit Karlov, duke shkaktuar kritikë të ashpër nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, tha se ky pretendim është “absolutisht i rrejshëm”. Ai foli edhe për bisedën telefonike Kerry – Cavusoglu.

“Sekretari në bisedën me ministrin e jashtëm e ka ngritë shqetësimin e tij për një retorikë që po vjen nga Turqia lidhur me involvimin ose mbështetjen amerikane, i heshtur ose në mënyrë tjetër, për këtë vrasje të papërshkrueshme, për shkak të pranisë së zotit Gylen në Shtetet e Bashkuara. Ky është pretendim absurd dhe absolutisht i rrejshëm. Nuk ka bazë të vërtetë në të dhe sekretari e bëri shumë të qartë në diskutimin e tij me ministrin e jashtëm”, tha John Kirby.

Mëtutje, zoti Kirby tha se “ne duhet të lejojmë që hetuesit ta bëjnë punën e tyre dhe ne duhet të lejojmë që faktet dhe dëshmitë t’i çojnë hetimet atje ku duhet, para se të kërcejmë në konkludime”.

Raportohet se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i ka ofruar ndihmë amerikane Turqisë në hetimin e vrasjes. Megjithatë, Ankaraja tha se do të zhvillojë hetime të përbashkëta me autoritetet ruse, ndërsa Moska tashmë i ka dërguar afro 20 hetues në Turqi.

Fethullah Gylen, një person i vetmuar që predikon dialog ndërfetar, ndërsa mbështetësit dhe organizatat e të cilit janë shumë të njohura për sponzorizimin e shkollave dhe çështjeve humanitare, e ka dënuar atë që ai e ka cilësuar si “akt i tmerrshëm i terrorit”, nga i cili u vra Andrei Karlov.

Ambasadori rus në Turqi, Andrei Karlov, është qëlluar nëntë herë nga një pjesëtar i policisë speciale të Turqisë, i cili nuk ishte në detyrë, derisa Karlov fliste në një ekspozitë artistike në Stamboll më 19 dhjetor.

Polici, që nga autoritetet është identifikuar si Mevlut Mert Altintas, më vonë është vrarë nga policia. Autoritetet e Turqisë i kanë arrestuar 6 persona të afërt me Altintasin, lidhur me këtë vrasje.

Derisa e ka kryer vrajsen, Altintas ka brohoritur “Mos e harroni Alepon” dhe slogane të tjera islamike në vendin e vrasjes, para se ai të qëllohej për vdekje.

Derisa autoritetet turke po synojnë të përcaktojnë nëse Altintas kishte lidhje me Gulenin, sloganet që ai i ka brohoritur mund të jenë shumë më të afërta me një grup radikal islamik në Siri, që ka lidhje me al-Kaidën.

Sipas gazetës turke, Hurrieyet, veçanërisht një slogan i vrasësit Atlintas, ku ai thotë “ne jemi ata që kemi dhënë betimin te Muhameti për xhihad”, ishte përdorë shpeshherë në videot propaganduese të grupit militant, Al-Nusra në Siri.

Al-Nusra është njëri nga grupet kryengritëse, të cilat po zmbrapsen nga qyteti Alepo në Siri, nga depërtimi i forcave qeveritare siriane. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG