Ndërlidhjet

Obama nënshkruan Ligjin e ri për mediet ndërkombëtare

  • RFE /RL

Foto nga arkivi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka nënshkruar legjislacionin e ri, me të cilin konsiderohet se do të konsolidohet mbikëqyrja e transmetuesve joushtarakë të Shteteve të Bashkuara, duke i lënë ata në dorën e një shefi ekzekutiv të vetëm.

Ky është një rishikim, që është përshëndetur nga mbështetësit si reformë shumë e nevojshme, por kritikët kanë tërhequr vërejtjen se mund ta rrezikoj pavarësinë gazetareske.

Legjislacioni, që është pjesë e ligjit më të gjerë për shpenzimet e mbrojtjes së Shteteve të B,ashkuara për vitin 2017, të cilin zoti Obama e ka shndërruar në ligj duke e nënshkruar, e ristrukturon Bordin e Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), që është agjenci për mbikëqyrjen e transmetuesve qeveritarë civilë dhe të operacioneve të mediave, ku përfshihen edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe Zëri i Amerikës.

Me legjislacionin e ri do të zëvendësohet BBG-ja dypartiake me një bord këshilldhënës, i nominuar nga presidenti, që nuk do të ketë autoritet për vendimarrje. Por, këtë autoritet do ta ketë shefi ekzekutiv që nominohet nga Shtëpia e Bardhë dhe është subjekt i konfirmimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Mbështetësit e këtij legjislacioni, që është udhëhequr nga republikani nga Kalifornia, Ed Royce, anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dhe administrata e presidentit, Barack Obama, thonë se ai do ta përmirësoj efikasitetin e transmetuesve ndërkombëtarë të Shteteve të Bashkuara, duke e eliminuar BBG-në e tashme, që përbëhet nga anëtarët që shërbejnë gjysmë orari të punës dhe nuk takohen rregullisht.

Por, kritikët e këtij legjislacioni kanë ngritur shqetësime se ai mund ta dëmtojë integritetin gazetaresk të mediave nën ombrellën e agjencisë. Kritikët thonë se autoriteti i këtillë në duart e shefit ekzekutiv të emëruar nga Shtëpia e Bardhë, mund t’i cenoj të drejtat editoriale në raportet ndërmjet mediave dhe qeverisë.

Shefi ekzekutiv i Bordit të Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), John Lansing, mbetet në këtë post, që ishte krijuar vitin e kaluar. Por, kundërshtarët e legjislacionit kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka raporte kundërthënëse me mediat, mund të synoj instalimin e lojalistit, i cili do ta përdorë agjencinë si mjet në agjendën e zotit Trump.

Në një intervistë të publikuar më 13 dhjetor në rrjetin Fox News, Ed Royce i ka hedhur poshtë këto vërejtje duke i cilësuar ato si “histeri”.

Disa e paraqesin këtë si maskim, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, tha Ed Royce.

John Lansing në një letër te personeli, më herët këtë muaj, ka shkruar se legjislacioni “nuk e ndryshon kufirin ndërmjet qeverisë federale dhe gazetarëve të pesë rrjeteve tona”.

Mbajtja e pavarësisë sonë gazetareske dhe kredibiliteti ynë në gjithë botën, mbetet i rëndësisë më të madhe”, ka shkruar Lansing.

Derisa Zëri i Amerikës është agjenci federale dhe formalisht pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe organizatat e saj simotra, Radio Azia e Lirë dhe Radio Marti, janë koorporata të pavarura me bordet e tyre të veçanta editoriale, të financuara nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, të gjitha ato mibikëqyren nga BBG-ja.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG