Ndërlidhjet

Rusi: Nuk ka të mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit

  • RFE /RL

Ekipet e kërkim-shpëtimit për aeroplanin e rrëzuar në Detin e Zi.

Operacionet e kërkim-shpëtimit për aeroplanin ushtarak rus të rrëzuar në Detin e Zi, po vazhdojnë.

Me këtë aeroplan udhëtonin 92 pjesëtarë të spikatur të forcave të armatosura dhe një ansambël kulturor, për një koncert të Vitit të Ri në Siri.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se “nuk janë parë të mbijetuar” në vendin e përplasjes.

Aeroplani është ngritur të dielën në mëngjes nga qyteti jugor rus, Soçi, dhe parashihej të arrinte në bazën ajrore ruse afër qytetit sirian, Latakia.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ka urdhëruar kryeministrin Dmitry Medvedev, që ta formojë një komision shtetëror për hetimin e përplasjes së aeroplanit Tu-154 në Soçi”, tha Presidenca e Rusisë nëpërmjet një komunikate.

Për këtë çështje është shprehur edhe zëdhënësi Konashenkov.

“Një komision i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, i kryesuar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, gjenerali i Armatës, Pavel Popov, ka fluturuar në Soçi”, tha Konashenkov.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se “pjesë… të aeroplanit janë gjetur 1.5 kilometra nga bregu i Detit të Zi në qytetin Soçi, në thellësi prej 50 e deri në 70 metrash”.

Në listën e udhëtarëve, që e ka publikuar kjo ministri, përfshihen 64 anëtarë të Ansamblit Aleksandrov, që është kori zyrtar ushtarak i forcave të armatosura të Rusisë. Lideri i ansamblit, Valery Khalilov, ishte në mesin e udhëtarëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, i ka dhënë disa detaje të rrëzimit të aeroplanit.

“Pak pas ngritjes nga baza ajrore Adler, aeroplani Tu-154 i Ministrisë së Mbrojtjes i Rusisë, është zhdukur nga radarët në orën 5:27 në mëngjes. Aty ishin 8 anëtarë të ekuipazhit dhe 84 udhëtarë. Ata ishin pjesëtarë të forcave të armatosur ruse dhe artistë të Ansamblit Aleksandrov, që po fluturonin për ta uruar kontingjentin e forcave ajrore të Rusisë në Siri për Vitin e Ri, dhe 9 përfaqësues të mediave ruse”, tha Igor Konashenkov.

Në listën e udhëtarëve përfshihet edhe Elizaveta Glinka, e njohur si Doktor Liza, aktiviste tejet e njohur dhe këshilltare e presidentit Vladimir Putin, për të drejtat e njeriut.

Fluturimi kishte nisur nga Moska dhe ishte ndalur në Soçi për karburant.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se është shumë herët të flitet për shkaqet e përplasjes së aeroplanit ushtarak të tipit Tu-154.

Viktor Ozerov, kryesues i Komitetit të mbrojtjes ajrore në Dhomën e Epërme të Parlamentit të Rusisë, tha se “krejtësisht e përjashton” terrorizmin si shkaktar të mundshëm të rrëzimit.

Në komentet e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, Ozerov tha se përplasja ka mundur të shkaktohet nga ndonjë gabim teknik ose gabim të ekuipazhit, por beson se nuk ka pasur terrorizëm, pasi aeroplani është operuar nga ushtria.

Zyrtarët thanë se hetimet do të përcaktojnë nëse ka ndodhur ndonjë shkelje e rregullave të sigurisë së transportit ajror.

Agjencitë ruse të lajmeve e kanë cituar në burim të paemëruar të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, që ka thënë se personat në aeroplan, pothuajse nuk kishin kurrfarë gjasash për të shpëtuar dhe se nuk është gjetur asnjë pajisje shpëtimi nga aeroplani.

Agjencia tjetër, Interfax, e ka transmetuar një tjetër burim të paemëruar, që ka thënë se aeroplani nuk kishte dërguar sinjal SOS për ndihmë emergjente.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG