Ndërlidhjet

A e thelluan sigurimet e makinave tollovinë në kufi?


Pritjet në vendkalimet kufitare të qytetarëve nga Kosova që jetojnë në mërgim që udhëtojnë për në Kosovë me rastin e festave të fundvitit, kanë vazhduar edhe ditën e hënë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se radhët e pritjes, për dallim nga dy ditët e kaluara, janë më të shkurtra, megjithëse kanë nënvizuar se procedurat po ngadalësojnë kalimin më të shpejtë.

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati, tha për Radion Evropa e Lirë se pritjet e gjata për qytetarët nga Kosova, janë shkaktuar nga ngadalësimi i punës së zyrtarëve doganorë në pjesën e Serbisë.

"Dje dhe sot situata paraqitet më e mirë. Sigurisht tash edhe për shkak të rënies se fluksit të ardhjes së bashkatdhetarëve. Ka pasur një reagim pas ndërhyrjes së institucioneve tona dhe rrjedhimisht ka pasur një përmirësim [ të punës nga pala serbe]. Arsyet e pritjeve të gjata në kufij kanë qenë të shumta, fluksi i madh dhe një punë jo shumë efikase e palës serbe", tha Murati.

Ministri Murati ka kritikuar në një mënyrë Byronë Kosovare të Sigurimeve që me kohë nuk kanë qenë të përgatitur për fluksin e bashkatdhetarëve që gjatë festave të fundvitit kthehen në Kosovë.

"Kësaj radhe problemi kryesor ka qenë pala serbe, por e kam theksuar disa herë që fatkeqësisht pas pritjeve të gjata bashkatdhetarët është dashur edhe një kohë që të presim dhe t’i paguajnë ato tarifat e sigurimit kufitar. Sidomos të shtunën paradite ata kanë punuar me intensitet shumë të ulët dhe është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës që Byroja Kosovare e Sigurimeve të dërgojë më shumë kapacitete në kufij që të punohet më shpejt", tha Murati.

Por, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli, ka mohuar deklarimet e ministrit. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se vonesat për hyrjen e mërgimtareve në Kosovës në asnjë rrethanë nuk kanë të bëjnë me sigurimet.

"Sa i takon policës së sigurimit me ato sportele që kanë punuar, nuk ka pasur nevojë që të vonohen automjetet ose bashkatdhetarët. Kolonat janë bërë për arsye të kontrolleve në vendkalimet kufitare", tha Pacolli.

Ndërkohë, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën nga monitorimet bëra në vendkalimet kufitare gjendja është përmirësuar në krahasim me dy ditët e kaluara.

Samir Krasniqi, koordinator në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, tha se pritjet nuk janë të gjata më shumë se 20 deri në 50 minuta.

"Gjendja, nga pamjet që i kemi është përmirësuar dukshëm. Nuk ka pritje të gjata. Ajo që e shohim... nuk janë më shumë se 20 deri 25 minuta pritje në vendkalimin kufitar në Merdare. Kurse në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pritjet janë nga 40 deri 50 minuta, por ajo dallon nga momenti në moment", tha Krasniqi, duke shtuar se në pjesën e Kosovës pritje nuk janë më të gjata se 5 minuta.

Fluksi i madh i qytetarëve që kanë planifikuar të kalojnë festat e fund vitit me familjet e tyre në Kosovë dhe puna e ngadalshme në kufijtë e Kosovës me Serbinë kanë krijuar radhë shumë të gjata dhe pritje shumë orëshe.

Autoritetet në Kosovë thonë se kanë reaguar në BE që të nxisin përshpejtimin e kontrolleve nga pala serbe, por ndërkohë është bërë e ditur se veç vendkalimit kufitar Kosovë - Serbi, kolona të gjata të makinave ka edhe në kufirin e Kroacisë dhe Hungarisë. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG