Ndërlidhjet

Vizitë historike e kryeministrit të Japonisë në Pearl Harbor


Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vizitoi disa memoriale në Havai, përpara se të qëndrojë në Pearl Harbor, bazën amerikane të sulmuar nga Japonia më 1941.

Abe do të shoqërohet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama. Do të jetë kjo vizita e parë e liderëve të të dyja vendeve në Pearl Harbor, prejse ka ndodhur sulmi.

Abe do të lutet për të vdekurit, por nuk do të kërkojë falje, kanë thënë ndihmësit e tij.

Sulmi i Japonisë në Pearl Harbor ka vrarë 2,300 shërbyes amerikanë dhe ka bërë që SHBA-ja të futet në Luftën e Dytë Botërore.

Pas aterimit, Abe theksoi rëndësinë e përçimit të një “mesazhi të fuqishëm” për vlerën e pajtimit.

“Havai ka qenë një vend ëndërr, një vend i veçantë për mua. Jam shumë i nderuar me këtë mundësi që të vizitojë Havain si kryeministër i Japonisë dhe me pjesëmarrjen e shumë amerikano-japonezëve, të cilët vazhdojnë të respektojnë historinë dhe përvojat që kanë kaluar. Andaj, jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha Abe.

Ai i cilësoi marrëdhëniet SHBA-Japoni si “aleancë e shpresës” dhe tha se shkatërrimi i luftës nuk duhet të përsëritet.

Abe ka forcuar lidhjet me Uashingtonin gjatë katër vjetëve të tij në detyrë, duke zgjatur limitet e kushtetutës pacifiste të Japonisë dhe duke rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Vizita e Abes, tri javë pas 75-vjetorit të sulmit, pason vizitën që ka bërë Obama këtë vit në Hiroshimë.

Obama është bërë presidenti i parë amerikan që ka vizituar qytetin japonez, ku nga sulmi i SHBA-së me bombë atomike, më 1945, janë vrarë rreth 150,000 njerëz.

Udhëheqësi i parë japonez që ka vizituar Pearl Harbor ka qenë Shigeru Yoshida, në vitin 1951. Ai ka ndaluar në Havai gjatë rrugës për nënshkrimin e marrëveshjes për paqe me SHBA-në, në San Francisko.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më herët se vizita e Obamës dhe e Abes në Havai do të tregojë për fuqinë e pajtimit që i “ka shndërruar ish-kundërshtarët në aleatë të afërt”. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG