Ndërlidhjet

Vuçiq ngrin Listën Serbe dhe “shkarkon” ministren e Mustafës


Vendimi i Listës Serbe për "ngrirjen” e sërishme të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në institucionet qendrore, në Kuvend dhe qeveri, është në vazhdën e veprimeve që tregojnë se ky subjekt është krijuar për t’i realizuar politikat e Beogradit në Kosovë dhe për ta dëmtuar vet shtetin e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se sabotimi i institucioneve dhe mosnjohja e kryeministrit Isa Mustafa nga ana e Listës Serbe, janë pjesë e veprimeve destruktive të Listës serbe, e cila siç thotë ai, që nga fillimi është dirigjuar nga Beogradi.

“Paramendoni situatën, jashtëzakonisht të vështirë, kur këta njerëz nuk e njohin autoritetin e zotit Mustafa si kryeministër, nuk i njohin institucionet e Kosovës, ndërkohë që zbatojnë urdhra që vijnë nga Vuçiqi. Në situatë normale, në një shtet normal, një subjekt politik që sillet në këtë mënyrë, do të duhej në fakt që të ndalohej me ligj".

"Mirëpo, fatkeqësisht, në Kosovë kjo nuk është mundur edhe për faktin se partnerët e koalicionit (PDK-LDK) e kanë shumë të rëndësishme pranimin e Listës Serbe, për ti çuar përpara disa procese që i kanë premtuar”.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Petar Miletiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se kthimi në Kuvend i një numri të deputetëve të Listës Serbe dhe më pas ‘ngrirja’ e sërishme e pjesëmarrjes së kësaj Liste në institucionet qendrore, nuk janë veprime që duhet të befasojnë.

“Ky ka qenë një konflikt brenda Listës Serbe, ndërmjet atyre që janë të afërt me (Aleksandar)Vulinin dhe atyre që janë të afërt me (Marko) Gjuriqin. Ka fituar ekipi që është i afërt me Gjuriqin dhe kjo duhet shikuar vetëm kështu. Sa i përket përfaqësimit të serbëve në institucione, nuk ka ndryshuar asgjë nga një muaj apo dy muaj e më shumë muaj më parë. Lojaliteti i hapur ndaj Qeverisë së Serbisë, tashmë vetëm se ka dalur hapur, sepse nuk e di nëse dikush nuk e ka pasur të qartë deri më tash një gjë të tillë”, tha Miletiq.

Vendimin për ngrirjen e pjesëmarrjes së saj në institucione qendrore, Lista Serbe e ka bërë të ditur përmes një komunikate, në të cilën është thënë se veprimi i fundit i Listës serbë është përgjigje në kërkesën që u ka bërë atyre kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, në komunikatë është thënë se “në përputhje me kërkesën e kryeministrit serb, Vuçiq,Mirjana Jevtiq do të tërhiqet nga posti i ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal”.

Ndaj veprimit të fundit të Listës Serbe ka reaguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili e ka quajtur të pakuptimtë “ngrirjen” e sërishme të pjesëmarrjes së kësaj liste në institucione. Ai ka theksuar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duhet të shfaqin dhe realizojnë të drejtat e tyre në Kosovë dhe brenda saj dhe se qeveria e Kosovës nuk do të pajtohet që deputetët dhe ministrat serbë të realizojnë në Kosovë politikat e pushtetit të Serbisë .

Pozicionimin e Beogradit zyrtarë, kryeministri Mustafa e ka quajtur “të gabuar dhe destruktiv” dhe siç ka thënë ai, lidhur me këtë do t’i drejtohen “Bashkimit Evropian, për shkak se po vihet në pikëpyetje serioziteti i dialogut të Brukselit”.

Analisti Mushkolaj vlerëson se mosnjohja e autoritetit të kryeministrit të Kosovës, Mustafa, nga ana e Listës serbe, si dhe zbatimi nga ana e kësaj liste, i urdhrave të kryeministrit të Serbisë, Vuçiqit, këtë të fundit e pasqyron si një person që bashkë-qeveris me Kosovën.

“Bashkë-qeverisë me Kosovën nëpërmjet Listës Serbe dhe vendimet e tij janë të padiskutueshme për anëtarët e Listës Serbe. Paramendoni se çfarë situate është kur Vuçiq e shkarkon ministren Jevtiq, respektivisht, jep urdhër që të shkarkohet ministrja, të cilën e ka emëruar zoti Mustafa me gjithë autoritetin që e ka si kryeministër. Pra, realisht, nuk mund të flasim fare për një qeverisje sovrane të zotit Mustafa si kryeministër”, ka thënë Mushkolaj.

Mendim të përafërt ka edhe ish deputeti Miletiq, i cili thekson Beogradi zyrtar e ka forcuar pozicionin e saj në Kosovë përmes serbëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, tashmë publikisht e kanë thënë dhe pranuar.

“Kjo çon drejt mospajtimeve të mëtejme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe që është edhe më e rëndësishme, drejt mospajtimeve të mëtejme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, ka theksuar Miletiq.

Ai ka shtuar se situata në të cilën Lista Serbe është vetëm instrument i Beogradit dhe jo subjekt që artikulon nevojat e serbëve të Kosovës, buron nga siç e quan ai, pajtimi i mëhershëm i të gjitha palëve më një fakt të tillë, Qeverisë së Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe Beogradit zyrtar.

Por, gjithashtu, siç ka thënë ai, me këtë fakt janë pajtuar edhe serbët e Kosovës, të cilët kanë pranuar që për jetët e tyre të vendos dikush tjetër. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG