Ndërlidhjet

QKUK përmbyll vitin me 38 mijë operacione dhe mbi 1 milion shërbime


Me gjithë mungesat dhe sfidat e shumta, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2016 janë kryer 38 mijë operacione dhe 1.2 milionë shërbime ambulatore.

Sfidat kryesore më të cilat ballafaqohet QKUK ndërlidhen me mungesat buxhetore, mungesat e kuadrove, pastaj mungesat e barnave dhe materialit shpenzues e deri te mungesa e aparaturës së duhur për trajtim.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aparaturat e nevojshme për trajtim, kanë qenë sfida më e madhe që e kanë përcjell punën e QKUK-së, këtë vit.

“Ka qenë vit me mjaft sfida sidomos sa i përket buxhetit, duke e marrë parasysh kryesisht servisimin e aparaturave e që buxheti i ndarë për këtë çështje ka qenë 750 mijë euro. Në bazë të llogaritjeve të përgjithshme, nevojiten 40 milionë euro për tu pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme. Përkundër këtyre sfidave që janë përballur jo vetëm pacientët, por edhe profesionistët shëndetësorë, aty janë kryer shumë operacione e shërbime tjera”, ka thënë Fazliu.

Tutje, zëdhënësi Fazliu sqaron se donatorët kanë qenë ata që e kanë lehtësuar punën e këtij institucioni. Donacionet kanë mbuluar kryesisht shpenzimet për barna dhe material shpenzues medicinal.

“Donacionet gjatë vitit 2016 kanë qenë të mirëseardhura dhe e kanë lehtësuar punën brenda institucionit, përndryshe puna aty do të ishte shumë më e vështirë pa 8.8 milionë euro që i janë dhuruar shëndetësisë”, ka theksuar ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtori i departamentit për informim, Faik Hoti, ka bërë të ditur se financimi i ulët i sektorit të shëndetësisë ka pamundësuar përmbushjen e kërkesave të bëra nga ana e Qendrës Klinike Universitare drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ka qenë vit dinamik dhe mjaft sfidues duke rezultuar me sukses pavarësisht vështirësive që funksionon sektori shëndetësor. Financimi i ulët i shëndetësisë mbetet problem kronik duke pamundësuar zhvillimin e planeve të ndryshme, si ngritjen e kapaciteteve, furnizimin më të mirë me barna e shumë tjera. Por, QKUK ka pasur një vëllim të madh të punës dhe cilësi të ofrimit të shërbimeve. Pavarësisht sfidave dhe mungesave është bërë punë e mirë nga profesionistë shëndetësorë”, ka theksuar Hoti.

Sipas Faik Hotit, Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka parashtruar kërkesa të ndryshme Ministrisë së Shëndetësisë, por jo të gjitha kanë arritur të plotësohen, për shkak të mungesave buxhetore.

Sipas tij, ka pasur lëvizje pozitive sidomos në kontributin e donatorëve dhe si rezultat disa projekte të mëdha janë në zhvillim e sipër.

Sidoqoftë duke përmbledhur statistikat e punës në vitin 2016, zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë se bazuar në statistikat preliminare, ndër të tjera kanë qenë edhe 804 mijë ditë shërimi me 149 mijë pacientë të shtrirë.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG