Ndërlidhjet

Trump përshkallëzon mospajtimet me intelegjencën rreth ndërhyrjes ruse


Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka eskaluar mospajtimin me agjencitë e inteligjencës së SHBA-së lidhur me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pak para seancave dëgjimore të Kongresit për këtë çështje.

Në një postim në “Twitter” të bërë mbrëmë, Trump e ka përsëritur një qëndrim të themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, se Rusia nuk është burimi i emailave, publikimi i të cilave në media e kanë dëmtuar kandidaten demokrate për president të SHBA-së, Hillary Clinton.

“Julian Assange ka thënë se edhe një 14 vjeçar mund ta ketë hakuar Podestan – pse ishte DNC (Komiteti Kombëtar Demokrat) kaq i pakujdesshëm? Ai gjithashtu ka thënë se rusët nuk ia kanë dhënë informacionet!” ka shkruar Trump, duke iu referuar shefit të fushatës së Clinton, John Podesta dhe Komitetit Kombëtar Demokrat, posta elektronike të cilëve u publikua nga “WikiLeaks” pak para zgjedhjeve të 8 nëntorit, pasi u sulmua nga hakerët.

Themeluesi i faqes në internet “WikiLeaks”, Julian Assange, më 3 janar, në një intervistë në rrjetin televiziv amerikan, Fox News, ka hedhur poshtë pretendimet e komunitetit të inteligjencës së SHBA-së se Rusia ka udhëhequr përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

Mediat në SHBA kanë cituar zyrtarë anonim të CIA-s dhe FBI-së që thonë se vlerësimet e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se përpjekja e dyshuar ruse ka pasur qëllim që ta ndihmojë Trumpin në zgjedhje.

Trump rregullisht ka thënë se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën që janë dëmtuar seriozisht për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe në Siri.

Qeveria ruse dhe Trump kanë hedhur poshtë pretendimet e inteligjencës amerikane duke i quajtur si absurde, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Barack Obama ende nuk ka publikuar detaje që e përkrahin dyshimin se Moska është munduar të ndihmojë Trumpin përmes emailave të vjedhur të demokratëve.

“Lajkatar për Rusinë”

Pranimi i pretendimit të themeluesit të “Wikileaksit” nga presidenti i zgjedhur amerikan, për shumë njerëz në Uashington është sfidimi më i rëndë i konkludimeve të inteligjencës amerikane rreth kësaj çështjeje.

Trump disa herë ka përmendur informacionet me të meta të CIA-s që çuan deri te okupimi amerikan i Irakut në vitin 2003 si bazë të skepticizmit të tij rreth dyshimeve për rolin e Rusisë në sulmet kibernetike në kohën e fushatës zgjedhore presidenciale amerikane.

Mbrojtësit e Assangit dhe Trumpit kanë përmendur argumentet e njëjta duke shtuar se përmbajtja e emailave që kanë rrjedhur në media, përfshirë edhe ato të disa zyrtarëve amerikanë që kanë favorizuar Clintonin kundrejt rivalit të saj partiak, Bernie Sanders, kanë qenë më të rëndësishme se sa prejardhja e tyre.

Zyrtarë të lartë republikanë e kanë kritikuar Assangin, organizata e të cilit është nën hetime nga autoritetet amerikane për publikimin e informacioneve sekrete të qeverisë.

“Nuk kam asgjë për të thënë më shumë se sa ky person (Assange) është një lajkatar për Rusinë. Ai rrjedh (informacione). Ai vjedh të dhëna dhe komprometon sigurinë kombëtare”, ka thënë Paul Ryan, lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë një interviste dhënë një radioje më 4 janar.

Zyrtarë të mëparshëm dhe ata aktual amerikanë kanë shprehur shqetësimin në rritje për refuzimet publike të Trumpit rreth konkludimeve të agjencive të inteligjencës të cilat ai do i mbikqyrë kur të fillojë mandatin më 20 janar.

Evelyn Farkas, e cila ka dhënë dorëheqje vitin e kaluar nga posti kryesor në Pentagon në lidhje me Rusinë dhe përkrahëse e Hillary Clinton në zgjedhje, ka thënë se shërbyesit civil të karrierës në departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Departamentit të Shtetit janë “vërtetë të alarmuar” nga qasja e Trumpit ndaj establishmentit të inteligjencës.

“Njerëzit që hartojnë politika dhe që punojnë në Pentagon dhe në Departament të Shtetit absolutisht pranojnë përfundimet e inteligjencës në të cilat kanë ardhur kolegët e tyre dhe një nga arsyet për këtë është se ata janë në dijeni të të dhënave të pastra të inteligjencës dhe pjesëve të tjera të analizës që janë bërë pjesë e të gjeturave përfundimtare”, ka thënë Farkas për Radion Evropa e Lirë.

Senatori republikan Lindsey Graham, i ka thënë mbrëmë CNN-së se është “shumë shqetësuese” që Trump është pajtuar me pretendimet e Assangit.

Themeluesi i “Wikileaks” “ka të kaluar në minimin e interesit amerikan”, ka thënë Graham i cili ka qenë kritik i zëshëm i hezitimit të Trumpit për të besuar se Rusia qëndron prapa sulmeve kibernetike.

“Unë shpresoj që asnjë amerikan të mos mashtrohet prej tij. Atij nuk duhet dhënë besueshmëri”, ka thënë Graham.

Seancat e Kongresit dhe informimi i Trumpit

Deklarimet e mbështetura në fjalët e Assangit janë bërë një ditë para se të mbahet seanca dëgjimore në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura në lidhje me dyshimet për hakimet ruse. Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, udhëheqësi i këtij Komisioni, John McCain, ka kërkuar sanksione më të ashpra kundër Moskës.

“Ka masa më të fuqishme që ne duhet ndërmarrë”, ka thënë McCain dhe ka shtuar: “Para së gjithash, ky ka qenë sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një sulm ndaj fundamenteve të demokracisë tonë. Nëse ju shkatërroni zgjedhjet, ju e keni shkatërruar demokracinë”.

Më 5 janar edhe Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, pritet që në një seancë të mbyullur të informojë Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit rreth sanksioneve të fundit të administratës së presidentit Barack Obama në lidhje me dyshimet për sulmet kibernetike ruse.

Shtëpia e Bardhë ka dëbuar 35 diplomatë rusë si masë ndëshkuese ndaj asaj që Uashingtoni e quan fushata e kërcënimit të diplomatëve të saj në Rusi.

Më 6 janar, Trump pritet të informohet në lidhje me dyshimet se Rusia qëndron para ndërhyrjes në zgjedhje. Tensionet rreth këtij takimi në mes të Trump dhe zyrtarëve amerikanë janë zbuluar më 3 janar, atëkohë kur presidenti i zgjedhur ka sygjeruar se takimi është shtyer për shkak të mungesës së dëshmive rreth përfshirjes ruse.

“Informimi me të dhëna sekrete rreth të ashtuquajturës “sulme kibernetike ruse” është shtyer deri të premten, ndoshta për shkak se ende janë duke e krijuar një rast për këtë. Shumë e çuditshme!”, ka shkruar Trump, në Twitter.

Zyrtarët amerikanë megjithatë e kanë hedhur poshtë akuzën se e kanë shtyer takimin, duke thënë se takimi prej fillimit ka qenë i paraparë për 6 janar.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësueve, Paul Ryan, në intervistën dhënë një radioje ka thënë se informimi i të premtës do kryhet me “shpresën” që Trump të arrij “përfundimet e njëjta me atë se çfarë po ndodhte dhe atë se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Rusia”.

Obama ka dhënë urdhër që raporti rreth sulmeve kibernetike ruse të përfundohet deri më 20 janar.

Drejtori i CIA-së, John Brennan, në një intervistë dhënë më 3 janar, ka thënë se raporti “është në pragun final të hartimit”.

“Të dhënat sekrete aty do të jenë saktësisht ajo çfarë ka kërkuar presidenti, një rishikim gjithpërfshirës dhe i thellë rreth asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve tona të fundit dhe përfshirjes ruse”, ka thënë Brennan për PBS.

Ai ka shtuar se raporti do “të trajtojë atë që e ka bërë Rusia, si e ka bërë dhe si e dimë ne këtë”.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG