Ndërlidhjet

Kuvendi me prioritete për vitin 2017, por me probleme në vendimmarrje


Kuvendi i Kosovës përmbylli vitin paraprak me ngecje të theksuara në zbatimin e planit legjislativ, konstatim ky i dalë nga organizatat që monitorojnë punën e legjislativit si dhe vet deputetët.

Përplasjet politike në Kuvend ndërmjet pozitës dhe opozitës, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe Institutit Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, vlerësohet se ndikuan negativisht në pjesën tjetër të punës së Kuvendit, sidomos në aspektin e miratimit të ligjeve.

Projektligji për Qeverinë e Kosovës, ai për Forcat e Armatosura të Kosovës, pastaj ai për shërbyesit civil, projektligji për ruajtje nga ndotja e ambientin, apo edhe ai për liritë fetare, konsiderohen vetëm disa nga ligjet të cilat duhet të miratohen sa ma parë nga legjislativi i vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti thotë se Kuvendi duhet të fokusohet si në miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë më procesin e integrimeve evropiane ashtu edhe në ato që ndikojnë në përmasimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës.

"Për mendimin tim janë disa fusha në të cilat ne duhet të fokusohemi. Këto fusha janë konsideruar edhe si sfida nga raporti i progresit që lidhen edhe me ligjet edhe për qeverinë, po ashtu edhe me funksionimin e institucioneve të shërbimit civil e të tjera", tha Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përmbush agjendën e paraparë për vitin 2016. Legjislativi deri në fund të vitit të kaluar ka miratuar 36 për qind të ligjeve të parapara në agjendë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ka shumë ligje të cila janë të rëndësishme e që duhet të miratohen. Sipas tij, Kuvendi ka ngelur prapa me miratimin e ligjeve, ngase Qeveria e Kosovës nuk ka punuar sa duhet.

"Ligji për FSK-në është me prioritet për Kosovën. Shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës ka qenë premtim elektoral, por edhe mjaft domethënës edhe për shtetin e Kosovës. Po ashtu edhe Ligji për mbrojtjen e ambientit është jetik për qytetaret dhe mendoj se duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe Kuvendit dhe ligjet të tjera të cilat nuk do mend se duhet të miratohen sa më shpejt", tha Lekaj.

Instituti Demokratik i Kosovës, bën monitorimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit. Ky Institut e ka vlerësuar si shumë të dobët punën e Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe çështjet tjera.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i tha Radion Evropa e Lirë se duke parë diskursin politik dhe raportet mes partive politike në Kuvend, nuk pritet që viti 2017 të sjell një trend më të mirë të punës së këtij institucioni.

"Nuk është se mund të presim parashikime të mira për vitin që kemi hyrë për shkak se me një legjislaturë të tillë është e vështirë të priten ndryshime rrënjësore", tha Krasniqi.

Kurse sa u takon ligjeve që duhet të procedohen me shpejt, Krasniqi mendon se janë disa që kërkojnë miratim me të shpejt.

"Është Ligji për Qeverinë, pastaj ai për ndalimin e ndotjes së ajrit, projektligji për shërbyesit civil, ai për transformimin e FSK-së dhe shumë projektligje të tjera të cilat janë po ashtu të rëndësishme dhe të cilat do të duhej të miratoheshin gjatë këtij viti", tha Krasniqi.

Aktualisht, Kuvendi ka në procedurë për miratim edhe 19 ligje, kurse në pritje janë edhe 70 të tjera.

Ky legjislativ i cili pritet rinis punën më 16 janar 2017, nuk arriti të përmbushë njërin prej kritereve të fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG