Ndërlidhjet

Dy të arrestuar për hedhje të ‘mjeteve të forta’ mbi autobusin me pelegrinë serbë


Foto nga protesta e vitit 2013
Foto nga protesta e vitit 2013

Policia e Kosovës thotë se ka arrestuar dy persona që kanë hedhur gurë dhe ‘mjete të forta’ mbi një autobus me pelegrinë serbë që kanë hyrë në qytetin e Gjakovës në festën e Krishtlindjeve Ortodokse

.Policia tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur pasoja të tjera.

“Sot rreth orës 12 në afërsi të kishës ortodokse janë tubuar rreth 50 persona. Në ora 13:00 ka arritur një autobus me pelegrinë serb. Në hyrje të qytetit të Gjakovës është gjuajtur në drejtim të autobusit me mjete të forta, me këtë rast është dëmtuar një pjesë e xhamit të autobusit. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona”, i tha Radios Evropa e Lirë, një zëdhënëse e policisë në Gjakovë, Lirie Podrimaj.

Pelegrinët serbë, ka bërë të ditur Podrimaj kanë hyrë në kishën e qytetit të Gjakovës.

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës, ka shtuar ajo “ka marrë të gjitha masat e nevojshme që siguria dhe lëvizja e lirë e tyre të jetë në nivelin e duhur”.

Policia ndalon disa protestues në Gjakovë

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se ka shoqëruar në stacionin policor disa protestueses të cilët ishin mbledhur afër Kishës Ortodokse, për të kundërshtuar vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë.

Një grup i qytetarëve të Gjakovës është mbledhur afër Kishës Ortodokse me qëllim që të kundërshtojë vizitën e paralajmëruar të pelegrinëve serbë për Krishtlindjet Ortodokse.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka një numër të vogël të qytetarëve që janë mbledhur afër Kishës Ortodokse.

“Për momentin situata është e qetë janë diku rreth 30 persona që janë aty, nuk presim që mund të eskalojë situata. Ende pelegrinët serbë nuk kanë arritur në Gjakovë janë në Deçan për momentin, por presim që ata do të vinë në vizitë edhe në Gjakovë”, ka thënë Podrimaj.

Me përcjellje të Policisë së Kosovës pelegrinët serbë, pas kryerjes së ritualeve të tyre në festën e krishtlindjes ortodokse në Gjakovë janë larguar nga qyteti.

Vizita e pelegrinëve serbë në Gjakovë është përvitshme dhe ajo korrespondon me Krishtlindjen ortodokse.

Dy vite më parë, gjendja ishte tensionuar kur pelegrinët serb ishin penguar të vizitojnë kishën për Krishtlindjet Ortodokse, për çka më pas ish-ministri në Qeverinë e Kosovës nga Lista Serbe, Aleksandar Jabllanoviq i kishte fyer nënat gjakovare duke i quajtur egërsira.

Cilësimi i tij, më pas pati nxitur protesta, të cilat u përmbyllën me shkarkimin e Jabllanoviqit nga pozita ministrore në qeveri.

Gjakova, është një nga rajonet që ka pësuar shumë gjatë luftës së fundit, ku ish–regjimi i Sllobodan Millosheviqit ka lënë pas viktima dhe shkatërrime të shumta.

XS
SM
MD
LG