Ndërlidhjet

Trump përsëri premton marrëdhënie të mira me Rusinë

  • RFE /RL

Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëri ka shprehur përkushtim për përmirësim të raporteve me Rusinë.

Në një postim të mbrëmshëm në rrjetin Twitter, zoti Trump i ka përsëritur deklaratat e tij të mëparshme, se ai dëshiron të punoj me Moskën për zgjidhjen e problemeve globale.

Por, toni i postimit duket se është në kundërshtim me deklaratat e tij të dhëna pas publikimit të raportit të inteligjencës, në të cilat Trump ka premtuar ndërmarrje të aksionit agresiv për ndalje të sulmeve kibernetike. Ai nuk e ka përmendur Rusinë për fajësi speciale.

Gjetjet e raportit i kanë përforcuar vlerësimet e mëparshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara se qeveria e Rusisë e ka mbështetur ndërhyrjen e hakerëve në serverat e partive politike në Shtetet e Bashkuara.

Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara, po ashtu, konkludoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike gjatë zgjedhjeve amerikane, për t’i ndihmuar zotit Trump.

Këto gjetje e kanë hedhur një re të zezë në fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Inaugurimi i zotit Trump në postin e presidentit bëhet më 20 të këtij muaji.

Raporti i inteligjencës u publikua pas takimit të Donald Trumpit me zyrtarë të lartë të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Pas takimit, presidenti i zgjedhur, Donald Trump, tha se ka kërkuar nga ekipi i tij për ta zhvilluar një plan gjatë 90 ditëve të para të presidencës së tij që “në mënyrë agresive të luftohet dhe të ndalen sulmet kibernetike”.

Duket se ai e kishte mbrojtur vendimin e agjencive të inteligjencës për të mos publikuar më tepër prova, të cilat i kishin çuar zyrtarët e inteligjencës në konstatimin se urdhrat për sulme kibernetike ishin dhënë nga presidenti Putin.

Më tutje ai theksoi se “metodat, mjetet dhe taktikat” e sigurisë nuk duhet të jenë “diskutim publik, nga i cili do të përfitonin ata që synojnë” t’i dëmtojnë Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, zoti Trump, në një intervistë për të përditshmen, New York Times, e pat kritikuar shqetësimin në Uashington lidhur me akuzat ndaj Rusisë, duke i cilësuar ato si “gjueti politike e shtrigave”, nga armiqtë, që janë të turpëruar që i humbën zgjedhjet.

“Ata kanë pësuar disfatë të rëndë në zgjedhje”, tha Trump.

Në postimin e tij të shtunën në rrjetin Twitter, ai i ka përsëritur deklaratat e tij të mëparshme se dëshiron të punoj me Rusinë, duke mos e përmendur mbështetjen eventuale të gjetjeve të agjencive të inteligjencës për përzierjen ruse.

“Duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump dhe ka shtuar se “vetëm budallenjtë do të mendonin se kjo është gjë e keqe”.

“Ne edhe ashtu kemi mjaft probleme në gjithë botën dhe kur unë të bëhem president, Rusia do të na respektoj neve shumë më tepër se tash dhe të dy vendet, me gjasë, do të punojnë së bashku për t’i zgjidhur disa prej problemeve dhe çështjeve të mëdha në botë”, ka thënë Donald Trump në rrjetin Twitter.

Për raportin e inteligjencës amerikane nuk ka pasur reagim zyrtar nga Presidenca e Rusisë.

Megjithatë, Ambasada e Rusisë në Londër e ka postuar një deklaratë në rrjetin Twitter duke u tallur me raportin e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG