Ndërlidhjet

Trump dhe Obama janë informuar për informacionet potencialisht “komprometuese” nga Rusia


FBI e ka informuar javën e kaluar presidentin amerikan, Barack Obama dhe presidentin e zgjedhur, Donald Trump, për pretendimet se agjencitë ruse të inteligjencës kanë informacione komprometuese personale dhe financiare rreth Trumpit, raportojnë mediat britanike dhe amerikane.

FBI ka vendosur që pretendimet e paverifikuara janë mjaftueshëm të besueshme për t’i përfshirë në informim derisa raportohet që po heton validitetin e tyre, të dhëna këto të disa raportimeve mediale.

Trump i ka hedhur poshtë këto raportime duke i quajtur si “gjueti politike e shtrigave”.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, iu ka thënë gazetarëve më 11 janar se “Kremlini nuk e ka një dosje komprometuese për Trumpin” dhe se çfarëdo pretendimi ndryshe është “fantazi absolute”.

Siç raporton CNN, këto pretendime të shkruara në dy faqe kanë qenë pjesë e raportit për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ky dokument shtesë ka qenë aq i ndjeshëm sa ai i është dhënë vetëm Obamës, Trumpit dhe tetë liderëve të Kongresit përgjatë informimit.

Gazeta “The New York Times”, agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press dhe organizata të tjera mediale kanë raportuar informacione të ngjajshme, duke cituar zyrtarë amerikanë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Trump ka reaguar në Twitter duke thënë: LAJM I RREMË – NJË GJUETI TOTALE POLITIKE E SHTRIGAVE!”

Zëdhënësja e tij, Kellyanne Conway, i ka thënë televizionit NBC se ajo që është e shkruar në raport “nuk është konfirmuar”.

“Aty ka vetëm burime të paemëruara”, ka thënë ajo.

Dyshimet janë publikuar pak para se Donald Trump të mbajë konferencën e parë si presidenti i zgjedhur, gjatë të cilës ai pritet të sqarojë se si do e bëjë ndarjen nga interesat e bizneseve të tij pasi të nis detyrën më 20 janar.

Dyshimet janë shkruar së pari nga një ish operativ i shërbimit serkret britanik MI6, puna e mëparshme e të cilët konsiderohet e besueshme nga zyrtarët e inteligjencës amerikane, raporton CNN, duke cituar “disa burime amerikane që kanë njohuri të drejtpërdrejt me këto të dhëna”.

Ish agjenti britanik ka qenë me detyrë në Rusi gjatë viteve të ’90-ta, ndërsa tani e udhëheqë një kompani private që mbledh informacione sekrete.

Hetimet e këtij operativi fillimisht janë financuar nga grupe dhe donatorë që përkrahnin kundërshtarët republikanë të Trumpit gjatë garës së brendshme partiake në vitin 2016, raporton më tej CNN.

Ky medium shton se pasi Trump u bë zyrtarisht kandidati republikan për president, hetimet e mëtutjeshme janë financiar nga grupe dhe donatorë që e kanë përkrahur rivalen demokrate, Hillary Clinton.

Raporti thotë se Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) “e ka komprometuar Trumpin përmes aktiviteteve të tij në Moskë deri në atë pikë sa të jetë e mjaftueshme që ta shantazhojnë”.

Aty përshkruhen video eksplicite seksuale që përfshinë prostituta që dyshohet se janë filmuar gjatë udhëtimit të Trumpit në Moskë në vitin 2013.

Në raport gjithashtu pretendohet se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe zyrtarët e qeverisë ruse kanë komunikuar rregullisht përgjatë fushatës.

Aty thuhet se qeveria e Putinit me vite të tëra ka kërkuar mënyra se si të ndikohet Trumpi, i cili ka udhëtuar disa herë në Moskë për të hulumtuar marrëveshje rreth patundshmërisë apo të mbikqyr garën e Miss Universit, e cila dikur ishte pronë e Trumpit.

CNN raporton se ka mësuar se senatori republikan, John McCain ia ka dhënë shefit të FBI-së, James COmey, një kopje të memos që përmbanë raportin në muajin dhjetor.

Deri më tash FSB nuk ka komentuar këto dyshime, që janë bërë katër ditë pasi agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë se kanë arritur në përfundimin se Putini ka urdhëruar fushatën e sulmeve kibernetike që kanë pasur qëllim të ndihmojnë Trumpin dhe të ndikojnë në zgjedhjet amerikane.

Deputeti i Dumës shtetërore ruse, Nikolai Kovalyov, ish drejtor i FSB-së, ka thënë se “nuk ka material komprometues” për Trumpin.

“Kush është i interesuar në materialin komprometues për njeriun që erdhi këtu për të organizuar një garë bukurie?” ka thënë anëtari i dhomës së ulët të parlamentit, Kovalyov për agjencinë e lajmeve Interfax.

“Nga përvoja ime profesionale mund t’iu them se Rusia nuk ka praktika të tilla”, ka shtuar më tej ai.

Në të kaluarën videot eksplicite seksuale kanë rrjedhur në media në Rusi në përpjekje për të komprometuar zyrtarët dhe politikanët. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG