Ndërlidhjet

Inteligjenca çeke: S’ka dëshmi se avokati i Trump ka udhëtuar në Pragë

  • RFE /RL

Një revistë hulutmuese çeke e ka cituar një oficer vendor të inteligjencës duke thënë se ata nuk kanë asnjë dëshmi se një nga avokatët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump ka udhëtuar vjet në kryeqytetin çek, duke hedhur poshtë kështu një nga pretendimet e raportuara nga mediat sot se Rusia ka material komprometues për Trumpin.

Avokati Michael Cohen, tashmë ka hedhur poshtë raportimet se ai në Pragë është takuar me agjentët rusë me dyshimin për të folur rreth ndikimit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke thënë se ai asnjëherë nuk ka qenë në Pragë.

Burimi brenda inteligjencës çeke i ka thënë revistes “Respekt” se ata nuk kanë asnjë të dhënë se Cohen ka arritur në Pragë me aeroplan.

Revista megjithatë ka raportuar se ekziston mundësia që Cohen të ketë udhëtuar me tren apo veturë nga ndonjë prej vendeve të BE-së, duke evituar kështu kontrollimin e pasaportës në hyrje të Çekisë sipas rregullave të udhëtimit brenda zonës Shengen.

“Nëse ka pasur një takim të tillë, ai (Cohen) nuk ka arritur në Republikën Çeke me aeroplan”, ka thënë ky burim.

Një tjetër burim i ka thënë revistes në fjalë se inteligjenca çeke nuk ka monitoruar një takim në mes të Cohen apo ndonjë zyrtari të afërt të Trumpit me oficerë të inteligjencës ruse.

Trump, i ka përshkruar raportimet e mediave që thonë se Moska ka një dosje me materiale komprometuese personale dhe financiare për të si “lajme të rreme” ndërsa ka kritikuar agjencitë amerikane të inteligjencës që kanë “lejuar” rrjedhjen e këtij materiali në media.

Trump i ka hedhur poshtë pretendimet duke i quajtur “gjueti politike e shtrigave”.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, iu ka thënë gazetarëve më 11 janar se “Kremlini nuk e ka një dosje komprometuese për Trumpin” dhe se çfarëdo pretendimi ndryshe është “fantazi absolute”.

Këto pretendime të shkruara në dy faqe kanë qenë pjesë e raportit për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ky dokument shtesë ka qenë aq i ndjeshëm sa ai i është dhënë vetëm Obamës, Trumpit dhe tetë liderëve të Kongresit përgjatë informimit.

Dyshimet janë shkruar së pari nga një ish operativ i shërbimit serkret britanik MI6, puna e mëparshme e të cilët konsiderohet e besueshme nga zyrtarët e inteligjencës amerikane, raporton CNN, duke cituar “disa burime amerikane që kanë njohuri të drejtpërdrejt me këto të dhëna”.

Raportimet e mediave amerikane për këtë thonë se Oleg Solodukhin, përfaqësuesi i Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë në Pragë, dyshohet se ka shërbyer si“bashkëpjesëmarrës” në takimin në mes të inteligjencës ruse dhe ekipit të Trump që udhëhiqej nga Cohen.

Solodkhin e ka mohuar se ka pasur takim, duke i thënë “Respekt” se ai nuk e njeh Cohenin.

Cohen ka shkruar në Twitter se nga 23 deri më 29 gusht ai ka qenë në Los Angeles.

Agjencia Kundër Inteligjencës e Çekisë nuk ka pranuar të komentojë publikisht për këtë temë, sipas “Respekt”. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG