Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Evropa mbrohet kundër rrezikut të ndikimit rus


Akuzat se Rusia ka synuar shkatërrimin e sistemit politik të Shteteve të Bashkuara, ka shërbyer si sinjal alarmues për Bashkimin Evropian, derisa këtë vit përgatitet për procese të mëdha zgjedhore.

Mesazhi i dërguar është se BE-ja, gjatë vitit 2017, duhet të përgatitet në formën më të mirë të mundshme, për tu mbrojtur nga ndikimi rus, para zgjedhjeve presidenciale në Francë dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani dhe Holandë.

Eksperti për demokraci dhe politikë të jashtme të BE-së në Carnegie Europe, Richard Youngs, thotë se duke e luftuar manipulimin e Kremlinit ndaj shoqërive të hapura dhe sistemeve politike, kërkohet më tepër se vetëm kontrolle të reja kundër lajmeve të rrejshme ose teknologji të përmirësuar kundër sulmeve kibernetike.

“Sot është luftë e madhe e ideve joliberale kundër atyre liberale”, thotë Youngs, dhe shton se “ne duhet ta shohim këtë shumë më tepër në këtë kontekst - pra si problem politik strukturor – dhe të përgjigjemi në mënyrë shumë më të gjërë, që me strategji analitike t’i mbrojmë vlerat fundamentale liberale në Evropë, të cilat qartazi janë nën kërcënim nëpërmjet këtyre taktikave dhe taktikave të tjera të përdorura kundër Evropës nga jashtë”.

Derisa skandali i sulmeve kibernetike vazhdon të mbetet në fokus në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë akuzat për ekzistim të programit shtetëror për të ndikuar në votimin presidencial në Shtetet e Bashkuara, në favor të fituesit befasues, kandidatit republikan, Donald Trump. Moska, po ashtu, i ka hedhur poshtë alarmet e perëndimit për fushatat e dizinformimit të Kremlinit.

Ekspertja për dezinformim dhe BE në Këshillin Atlantik, Alina Polyakova, thotë se demokracitë perëndimore për një kohë të gjatë e kanë injoruar, anashkaluar ose e kanë refuzuar ekzistimin e “operacioneve ndikuese” të Kremlinit, që është pjesë themelore e doktrinës ushtarake ruse, sipas së cilës synohet arritja e qëllimeve gjeopolitike të Moskës, pa ndërhyrje ushtarake, “nëpërmjet manipulimit të mediave, shoqërisë dhe politikave”.

Por, ajo thekson se tash demokracitë perëndimore po i kuptojnë ndikimet në rritje të Rusisë brenda politikave dhe shoqërive të tyre.

Kali i Trojës

Në një raport të autores Polyakova, në nëntor të vitit 2016, me titullin “Kuajt e Trojës së Kremlinit”, theksohen hapat specifikë që mund të ndërmerren për ta ndalur ndikimin politik nga Moska.

“Politikbërësit evropianë munden dhe duhet të ndërmarrin aksion të përbashkët për pa zbuluar, kufizuar dhe kundërshtuar përpjekjen e Rusisë për ta përdorë levën ekonomike dhe atë që duket si shoqëri civile dashamirëse, për manipulim të politikës dhe debatit në shoqëritë e hapura”, konstaton raporti i autores Polyakova.

Ky raport rekomandon ashpërsim të legjislacionit në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Francë, lidhur me kontributet e jashtme për fushatat politike, dhe thekson se agjencive të inteligjencës evropiane duhet tu jepen mandate të qarta për hetimin e financimit të jashtëm të partive politike.

Po ashtu, raporti kërkon hetime në burimet e mbështetjes financiare për institucionet dhe organizatat joqeveritare që “synojnë ndikim më të gjërë në raport me Rusinë dhe kundër Bashkimit Evropian”.

Në fjund të nëntorit të vitit të kaluar, parlamenti Evropian e ndërmori njërin prej këtyre hapave me rezolutën ku kërkohej që institucionet e BE-së t’i monitorojnë burimet e financimit për propagandë kundër Evropës.

Eksperti Richard Youngs, nga Carnegie Europe, thotë se ndikimi sekret financiar rus është rritur në atë masë që “mund t’i detyrojë vendet evropiane të shikojnë në financimin e partisë politike” dhe të zhvillojnë “rregulla të përbashkëta në nivel evropian në mënyrë që parat e jashtme të mos depërtojnë në fushatën e brendshme partiake”.

Dezinformatat ruse të kundërshtohen me të vërtetën

Por, ka edhe të atillë që konsiderjnë se kundërshtimi i fushatave të dezinformimit të Rusisë, me të cilat manipulohen mediat kryesore dhe ato sociale, në shoqëritë e hapura është i komplikuar për shkak të nevojës të mbrohet liria e shtypit dhe evitimi i cenzurës në Internet.

David Lidington, lider i deputetëve të Partisë Konservatore në Parlamentin e Britanisë, thotë se Rusia kishte përdorë “taktika shumë mirë të planifikuara dhe të shumëfishta të dezinformimit” për vite të tëra.

Në këtë kuadër, Lidington thotë se demokracitë perëndimore duhet “ta kundërshtojnë këtë fushatë dezinformuese, jo me propagandë por me të vërtetën”.

Ai shpjegon se Kremlini ka krijuar “kanale të reja televizive agresive për të sjellur konfuzion dhe për ta dezorientuar publikun ndërkombëtar” dhe ka formuar “armata të personave, që qëllimshëm bëjnë postime provokuese në Internet, që duket se të vetmen punë e kanë për të përdorë dëshmi të rrejshme për t’i mbushur mediat sociale”.

Obama: Sfidat speciale

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, thotë se akuzat aktuale të sulmeve kibernetike ruse janë “pjesë e kompletit të shqetësimeve më të gjëra” për atë se si të trajtohen sulmet kibernetike, që mund ta prekin infrastrukturën, stabilitetin e sistemeve financiare dhe integritetin e institucioneve, siç është një proces zgjedhor.

Obama tha se “shoqëritë e hapura” janë “më tepër të ndjeshme” se sa shoqëritë joliberale dhe ballafaqohen me “sfida speciale” në mbrojtjen kundër hakerizmit dhe fushatat e tjera të mundshme manipuluese të drejtuara nga Kremlini.

Mbrojtja proaktive

Ekspertët e sigurisë kibernetike munden më mirë t’i implementojnë strategjitë përkatëse mbrojtëse kur ata t’i kryejnë analizat e thella dhe t’i kutpojnë taktikat, procedurat dhe teknikat e tipeve të ndryshme të përdorura nga grupet hakeriste, thotë Avi Chelsa, shef i firmës së sigurisë kibernetike, Empow, me seli në Izrael.

Ai konsideron se ndarja e këtyre informacioneve, ekspertëve të sigurisë kibernetike në vendet e tjera, do tu mundësonte implementimin e strategjisë proaktive mbrojtëse dhe në mënyrë të rëndësishme do ta reduktonte rrezikun e sulmeve të hakerëve.

Avi Chesla thekson se akuzat për sulme kibernetike kundër zgjedhjeve në Shtetetet e Bashkuara e kanë forcuar prioritetin e Bashkimit Evropian për shqyrtimin e kërcënimit nga fushatat manipuluese ruse.

Megjithatë, ai mendon se tashmë është vonë për parandalimin e hakerëve nga mbledhja e informacioneve, që me gjasë do të rrjedhin në momentet strategjike gjatë muajve të ardhshëm, me qëllim që të shkatërrohen partitë dhe politikanët evropianë, që e kundërshtojnë agjendën e presidencës së Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG