Ndërlidhjet

Putin e akuzon administratën Obama se po përpiqet ta “shkatërrojë” Trumpin

  • RFE /RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Barack Obama, se po përpiqet “ta shkatërrojë legjitimitetin” e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, duke përhapur atë që Putin i cilësoi si pretendime të rrejshme.

Javën e kaluar, raportet në media theksonin se në një dosje sekrete të inteligjencës, që u ishte dorëzuar Obamës dhe Trumpit, pjesë të të cilës kishin rrjedhur dhe ishin publikuar, kishte informata të pahijshme dhe kompromituese, por të pakonfirmuara, të mbledhura nga një ish-oficer i inteligjencës britanike, për lidhjet ndërmjet Trumpit dhe Rusisë. Donald Trump i ka hedhur poshtë këto pretendime si “lajme të rrejshme”.

Pos kësaj, më 6 janar, agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkara kanë konkluduar se Putin kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike, që synonte shkatërrimin e demokracisë amerikane, ndihmën për Trumpin dhe diskreditimin e rivales së tij në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar, Hillary Clinton.

Duke folur dje në një konferencë për gazetarë në Moskë, Putin e ka hedhur poshtë dosjen me aktivitetet e dyshuara seksuale të Trumpit, në një hotel në Moskë në vitin 2013, si “gënjeshtër” dhe i ka akuzuar ata që i urdhëruan ato se janë “më të këqinj se prostitutet”.

Në komentet e tij të para publike për këto pretendime, Putin ka sugjeruar se agjencitë e inteligjencës së Rusisë, nuk kanë pasur arsye ta spiunojnë Donald Trumpin gjatë vizitës së tij në Moskë në vitin 2013, kur dyshohet se ka ndodhur episodi në hotelin Ritz-Carlton në Moskë.

Në këtë kuadër Putin e ka shtruar pyetjen:

“A mendon ndokush se shërbimet tona speciale e ndjekin secilin miliarder amerikan? Natyrisht se jo. Kjo është vetëm një gjë krejtësisht absurde”, është përgjigjur Putin në pyetjen e vet.

Në komentet e tij vulgare, duke u tallur me dyshimet e paraqitura, Putin, po ashtu, e ka shtruar pyetjen se përse zoti Trump, që ishte në Moskë për finalen e garës së bukurosheve, Miss Universe, do të paguante për prostitute.

“Ai është i rritur dhe për më tepër, është njeri që gjithë jetën e vet e ka kaluar në organizim të konkurseve të bukurosheve dhe është takuar me femrat më të bukura në botë. Vështirë e kam të imagjinoj se ai ka vrapuar në hotel për t’i takuar vajzat tona të përgjegjësisë së ulët sociale, të cilat janë, natyrisht, më të mirat në botë”, tha Putin.

Ai është shprehur se “dyshon se Trump ka rënë” në atë nivel.

Vladimir Putin e ka përshkruar dosjen si pjesë e përpjekjeve të administratës Obama për “ta shkatërruar legjitimitetin e presidentit të zgjedhur”, përkundër fitores zgjedhore, të cilën ai e ka cilësuar si “bindëse”, megjithë faktin se Donald Trump i ka marrë pothuajse 3 milionë vota popullore më pak se Hillary Clinton.

Putin ka pretenduar se ata që sipas tij, po përpiqen ta shkatërrojnë Trumpin, “mund të shkojnë edhe mëtutje” duke organizuar protesta në Uashington të tipit të Maidanit të Ukrainës.

“Dikush mund ta ketë ndjenjën se duke qenë të stërvitur në Kiev, mund të shkojnë aq larg sa të organizojnë protesta të tpit të Maidanit në Uashington, me qëllim që ta parandalojnë Donald Trumpit, që ta marrë zyrën”, tha Vladimir Putin, duke sugjeruar se këto protesta mund t’i organizoj administrata Obama.

Në protestat e Maidanit në vitin 2014, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, që ishte aleat i Rusisë, u përmbys nga demonstruesit.

Këto komete të Putinit janë të fundit në vargun e kritikave të ashpra ndaj administratës së presidentit në largim, Barack Obama, nga ana e zyrtarëve të Rusisë, të cilët këtë administratë e fajësojnë për përkeqësim të madh të raporteve ndërmjet Moskë e Uashingtoni gjatë viteve të fundit.

Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, ka theksuar se nuk ka plane për ndonjë kontakt eventual ndërmjet Putinit dhe Obamës, në ditët e fundit, para inaugurimit të Donald Trumpit më 20 janar.

Lidhjet ndërmjet dy vendeve kishin shënuar një përmirësim, që simbolikisht njihet si “ripërtritje”, gjatë mandatit të parë të Obamës, por ato kanë rënë në nivelin më të ulët nga Lufta e Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe për mbështetjen e Rusisë për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, involvimin e Moskës në konfliktin në Siri dhe çështje të tjera.

Megjithatë Putin ka shfaqur shpresë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, përfundimisht, do t’i normalizojnë raportet, që tash janë të trazuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG