Ndërlidhjet

Amerika gjithmonë në vend të parë, zotohet Trump


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do ta vërë “Amerikën në vend të parë” në çdo kohë, se do të mbrojë kufijtë, se do të forcojë aleancat e vjetra dhe se do të krijojë të reja.

“Njëzet janari, 2017, do të kujtohet si dita kur njerëzit janë bërë udhëheqës të këtij vendi përsëri. Burrat dhe gratë e harruara të vendit tonë nuk do të harrohen më”, tha Trump në fjalimin e inaugurimit si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Inaugurimi ka tërhequr qindra-mijëra njerëz në Uashington, për t’u bërë dëshmitarë të historisë.

Mbi 60 demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë refuzuar të marrin pjesë, ndërsa një demokrate që është ulur në mesin e personaliteteve ka qenë Hillary Clinton, rivalja e Trumpit në zgjedhje.

Trump, 70 vjeç, është personi më i vjetër që është betuar si president i SHBA-së.

Gjatë betimit, Trump vendosi dorën në dy Bibla – njëra prej tyre përdoret nga familja e tij, ndërsa tjetra është përdorur nga presidenti Abraham Lincoln.

“Ceremomia e sotme, megjithatë, ka një kuptim shumë të veçantë, sepse sot ne nuk po transferojmë pushtetin nga një administratë në tjetër, nga një parti te tjera, por po e transferojmë atë nga Uashingtoni dhe po ua japim juve, njerëzve”, tha Trump.

Trump u zotua se do të kthejë vendet e punës, që, sipas tij, janë vjedhur nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se SHBA-ja nuk do t’ua imponojë mënyrën e jetesës vendeve të tjera, porse “do të shkëlqejë si një shembull” që do të ndiqet.

Ai po ashtu u zotua se do ta çrrënjosë terrorizmin.

“Do t’i përforcojmë aleancat e vjetra dhe do të formojmë të reja, do ta bashkojmë botën e civilizuar kundër terrorizmit të Islamit radikal, të cilin do ta çrrënjosim plotësisht nga faqja e dheut”, tha Trump.

Shumë shpejt pas ceremonisë së betimit përpara Kapitolit, Trump ka nënshkruar disa dokumente. Sipas agjencisë Reuters, presidenti ka nënshkruar legjislacionin që i lejon gjeneralit të pensionuar James Mattis të shërbejë si Sekretar i Mbrojtjes. Ai, megjithatë, duhet të konfirmohet nga Senati.

Shtëpia e Bardhë, ndërkaq, në ueb-faqen zyrtare ka publikuar një listë të, siç thuhet, çështjeve kryesore të administratës së re. Ato, mes tjerash, përfshijnë politikën e jashtme, planin për energjinë, rritjen ekonomike, forcimin e ushtrisë dhe tregtinë.

Trump, biznesmen i pasur nga Nju Jorku, pason presidentin e deritashëm, Barack Obama, i cili ka qenë afrikano-amerikani i parë që ka shërbyer në këtë post.

Në adresimin e tij, Trump ka falënderuar Obamën për “ndihmën bujare” gjatë tranzicionit të pushtetit.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG