Ndërlidhjet

May: Nuk do të kem frikë ta kundërshtoj presidentin Trump për gjëra që s’pajtohem me të

  • RFE /RL

Më 27 janar, shefja e qeverisë britanike do të bëhet liderja e parë e huaj që do të takohet me presidentin e ri amerikan, Donald Trump.

Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, por edhe nga vet kryeministrja britanike, Theresa May, gjatë një interviste dhënë të dielën më 22 janar, televizionit publik të Britanisë së Madhe, BBC.

"Do e takoj presidentin e ri amerikan të premtën më 27 janar. Do të ketë shumë çështje që do t’i bisedojmë, sepse është e qartë në mes të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara për shumë vite ekziston një marrëdhënie e veçantë. Ne do të kemi mundësinë të bisedojmë për marrëdhëniet tona të ardhshme tregtare, por edhe për disa prej sfidave botërore me të cilat përballemi, çështje si lufta kundër terrorizmit, konflikti në Siri”, ka thënë May.

Presidenti i ri amerikan, përmes fjalimit të lexuar gjatë inaugurimit, tashmë e ka bërë të qartë se lufta kundër terrorizmit do të jetë një nga prioritetet kryesore të tij. Presidenti Trump e ka përmendur këtë edhe gjatë vizitës së mbrëmshme në Drejtorinë e Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës amerikane, CIA.

"Terrorizmi i islamit radikal duhet të zhduket, nga faqja e dheut. Kjo është e ligë”, ka thënë presidenti Trump.

"Ne nuk kemi përdorur mundësitë tona reale që i kemi, kemi qenë të përmbajtur. Ne duhet ta heqim qafe ISIS (grupin, Shteti Islamik). Nuk kemi zgjidhje tjetër”, ka thënë më tej Trump.

Pas May, udhëheqësi i dytë që shkon drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar presidentin e ri amerikan, është homologu i Donald Trump nga Meksika, Enrique Pena Nieto.

Takimi me Nieto, që pritet të ndodhë më 31 janar, konsiderohet më i rëndë, ndër të tjera edhe puna e komenteve të Trump gjatë fushatës zgjedhore rreth imigrantëve nga Meksika.

Por, edhe kryeministrja britanike ka thënë se gjatë takimit me liderin e ri amerikan, nëse dëgjon diçka që nuk i pëlqen, do ia thotë këtë presidentit Trump.

"Kurdo që do të ketë diçka që më duket e papranueshme, nuk do të kem frikë t’ia them këtë Donald Trumpit”, ka thënë May për BBC.

Donald Trump e nisi punën si president i Shteteve të Bashkuara të premtën më 21 janar. Vetëm një ditë më pas, qindra mijëra njerëz morën pjesë në Marshin e Grave, në Uashington dhe shumë qytete të tjera të SHBA-së dhe botës, si protestë kundër shumë prej deklarimeve të presidentit të ri amerikan gjatë dhe pas fushatës zgjedhore presidenciale.

Kryeministrja britanike është pyetur nga BBC në lidhje me një bisedë të publikuar nga mediat që presidenti Trump e ka pasur në vitin 2005 ku ai dëgjohet duke bërë komente të turpshme për femrat.

"Tashmë e kam thënë se disa prej komenteve të Donald Trump që janë bërë në lidhje me gratë janë të papranueshme. Për disa prej tyre ai ka kërkuar falje”, ka thënë May duke shtuar se kur të ulet me liderin e ri amerikan më 27 janar, “deklarata më e fuqishme rreth rolit të gruas do të jetë fakti që atje do të jem si grua kryeministër, kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar. (REL)

XS
SM
MD
LG