Ndërlidhjet

Nën Trumpin, Gjermania duhet të përgatitet për “kohë të vështira”


Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Gjermania duhet të përgatitet për kohë të vështira nën udhëheqjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ai shtoi se tregtia e lirë dhe bashkëpunimi trans-atlantik për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin, janë kyçe për Berlinin.

Steinmeier, i cili në muajin gusht ka thënë se Trump është “predikues i urrejtjes”, ka shkruar në gazetën gjermane Bild se disa anëtarë të administratës së re amerikane e kuptojnë rëndësinë e aleatëve si Gjermania.

E di, duhet të përgatitemi për kohë të trazuara, të paparashikueshme dhe të pasigurta”, tha Steinmeier.

“Por, jam i bindur se në Uashington do të gjejmë dëgjues të vëmendshëm, të cilët e dinë se edhe vendet e mëdha kanë nevojë për partnerë në botë”, shtoi ai.

Steinmeier tha se Qeveria gjermane do të kërkojë dialog me administratën e Trumpit dhe do të përpiqet të nënvizojë, siç tha ai, “qëndrimin tonë, vlerat tona dhe interesat tanë”.

“Se si do të duket bota nesër, nuk është vendosur ende. Është krejtësisht e hapur”, tha Steinmeier.

Trump ka shqetësuar liderët gjermanë me deklaratat se Britania nuk do të jetë vendi i fundit që do të lërë Bashkimin Evropian dhe me kërcënimet se do t’i rrisë tarifat mbi importet nga Kina dhe Meksika.

Përgjigjet e tyre, pasi Trump ka marrë zyrën më 20 janar, kanë qenë të përziera.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se do të kërkojë kompromis me Trumpin te çështjet si tregtia dhe shpenzimet ushtarake dhe se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve të rëndësishme midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se Gjermania duhet të përgatitet për udhëtim të trazuar dhe se Evropa duhet të krijojë politikë të re ekonomike.

Trump ka kritikuar po ashtu vendimin e Merkelit në vitin 2015 për t’i hapur kufijtë e Gjermanisë për azilkërkuesit dhe ka thënë se beson se aleanca ushtarake e NATO-s është vjetruar.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ka thënë në një intervistë për gazetën Handelsblatt se “NATO nuk është marrëveshje biznesore”.

Ajo po ashtu ka thënë se vendet evropiane duhet të jenë gati për modernizimin e aleancës gati 70-vjeçare dhe të ndajnë financimet në një mënyrë më të drejtë.

Komentet janë përgjigje ndaj kritikave të Trumpit se vendet anëtare të NATO-s nuk e përmbushin obligimin për shpenzimin në mbrojtje të 2 për qind të prodhimit kombëtar.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG