Ndërlidhjet

Korrupsioni i lidhur me moszbatimin e ligjeve dhe gjyqësorin jo efikas


Moszbatimi i ligjeve dhe mungesa e koordinimit institucional kundër korrupsionit, janë problemet kryesore në luftimin e kësaj dukurie në Kosovë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Organizata Transparency International, në publikimin e saj të fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, e ka radhitur Kosovën në vendin 95-të me 36 pikë, në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport.

Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoron trajtimin e rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë.

Betim Musliu në këtë Institut, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se nga monitorimet e bëra, në vazhdimësi është parë se nuk ka luftim të vërtetë kundër korrupsionit.

“Në Kosovë nëse e shohim mënyrën se si është duke u qeverisur, si dhe klanet e krijuara përbrenda pushteteve, sidomos brenda pushtetit gjyqësor, dëshmojnë që ka njerëz të cilët kanë krijuar fuqi dhe njëfarë lloj autokracie është tani më tek ta, që kjo nuk përkthehet ndryshe përveç si proces korruptiv, si korruptim i këtyre udhëheqësve në këto institucione”, thekson Musliu.

Në bazë të raportit të Organizatës Transparency International për vitin 2016, Kosova ka bërë përparim në krahasim me një vit më parë kur ishte radhitur në vendin e 103-të me 33 pikë gjithsej.

Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se megjithëse ka një përmirësim të vogël në luftimin e korrupsionit, Kosova vazhdon të radhitet në mesin e vendeve më të korruptuara.

“Ne si shoqëri civile kemi bërë thirrje që korrupsioni nuk po luftohet ashtu siç është kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe nga akterët tjerë ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës nuk po e merr me seriozitet që ta rrisë luftën ndaj këtij fenomeni negativ. Në Kosovë janë një sërë ligjesh që janë deri diku të mira, por që moszbatimi i këtyre ligjeve është problemi kryesor në luftimin e korrupsionit”, thotë Merja.

Ajo thekson se mungesa e koordinimi të institucioneve në luftimin e korrupsionit ka bërë që shumë raste të korrupsionit të mbeten pa u hetuar dhe pa u gjykuar nga gjykatat.

“Ajo që vihet re në Kosovë është që shumë nga rastet e korrupsionit që ndiqen janë raste të vogla në mënyrë që të rriten statistikat, derisa rastet, që njihen se mund të jenë përfshirë ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit nuk hetohen dhe nuk nisen procedura hetimi apo gjykimi ndaj tyre”, thekson Merja.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, janë trajtuar 41 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, duke ngritur aktakuza në 12 raste, me gjithsej 129 persona të profileve të ndryshme të përfshirë në këto aktakuza.

Policia e Kosovës dhe drejtoria për krime ekonomike, brenda të njëjtës periudhë kohore kanë arrestuar 40 persona të dyshuar për raste të korrupsionit dhe qindra kallëzime penale i kanë ngritur pranë institucioneve hetuese.

Me gjithë reformat e ndryshme që janë bërë, sistemi i drejtësisë thuhet se vazhdon të mbetet jo i fuqishëm përballë rasteve të korrupsionit.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se për më shumë rezultate në fushën e sundimit të ligjit, ku hyn edhe luftimi i korrupsionit, duhet të ketë pavarësi të pushtetit gjyqësor.

“Duhet që ndikimi politik të largohet nga sistemi i drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë duhet të përkrahet me resurse, por duhet të vendosen edhe mekanizma për të mbajtur përgjegjës sistemin gjyqësor dhe prokurorial pasi që tani për tani e kemi të pambrojtur dhe pa mekanizma efikas llogaridhënës”, thekson Musliu.

Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, tashmë janë shndërruar në kusht për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG