Ndërlidhjet

Paraja publike shpenzohet përmes proceseve të korruptuara


Mbi 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës shpenzohen përmes prokurimit publik, fushë kjo e cila për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe ekspertë të fushës e konsiderojnë alarmante nivelin e lartë të korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Ata kërkojnë që të merren masa konkrete në reformimin e prokurimit publik dhe eliminimin e korrupsionit.

Niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit thonë ata ka dëmtuar buxhetin e vendit, bizneset dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se bizneset në Kosovë kanë ankesa të shumta për parregullsitë që ndodhin gjatë procesit të tenderimit publik.

“Nëse analizohen problematika e të bërit biznesit në Kosovë, në veçanti në raportpubliko- privat prokurimi publik është sëmundja kancerogjene e shoqërisë kosovare. Prokurimi publik nuk mund të përmirësohet vetëm më tryeza të rrumbullakëta dhedeklarata mediale".

“Është koha kur duhet të ketë përgjegjësi më të madhe sesa që ka qenw deri më tani, duhet të këtë transparencë, duhet të ketë dialog dhe duhet të këtë profesionalizëm, dhe në këto pozita kyçe të prokurimit publik të mos vendosen njerëz të politikës”, thekson Gërxhaliu.

Kompani dhe biznese në Kosovë të cilat kanë qenë të afërta me politikën, thekson Gërxhaliu janë favorizuar në prokurimin publik duke u krijuar kështu më pas një diskriminim dhe qasje selektive në ambientin biznesor në Kosovë.

“Nuk duhet të na habis fakti që në të gjitha raportet, qoftë në raportin e Bankës Botërore ‘Të bërit biznes’, qoftë në raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar del se prokurimi publik si njëra ndër pikat me koncerogjene për ambientin biznesor në Kosovë. Është koha që këtij problemi t’i qasim me një pragmatizëm dhe jo vetëm me deklarata politike”, thekson Gërxhaliu.

Në anën tjetër eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i Kosovës dëmtohet në miliona euro në vit nga niveli i lartë i korrupsionit në prokurimin publik.

“Prokurimi publik është një problem jetik për menaxhimin e financave publike në Kosovë i cili po vazhdon në 17 vitet e fundit për shkak se shkalla e lartë e korrupsionit po buron nga prokurimet publike nga institucionet qendrore, lokale dhe agjencitë e pavarura publike. Kjo vërejtje po vjen vazhdimisht nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në vitin e fundit ka filluar prokurimi elektronik i cili është në fazan iniciale dhe unë mendojë që ky prokurim duhet të zgjerohet edhe më tepër”, thekson Gashi.

Prokurimi elektronik në Kosovë në disa institucione ka filluar të zbatohet qysh nga viti i kaluar.

Në atë kohë, përfaqësitë e institucioneve ishin zotuar se përmes prokurimit elektronik, do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, do të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat financohen me paranë publike.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime. Ndryshimet e fundit të këtij ligji ishin bërë në vitin 2015. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG