Ndërlidhjet

Trump e mbron ndalesën e udhëtimit, thotë nuk është “ndalim i myslimanëve”


Protestuesit në aeroportin e San Franciskos.
Protestuesit në aeroportin e San Franciskos.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mbrojtur urdhërin e tij ekzekutiv që përkohësisht të ndaloj udhëtimin e banorëve të shtatë vendeve me shumicë myslimane, duke insistuar se nuk është fjala për një “ndalim të myslimanëve”.

Trump ka thënë se SHBA do vazhdojë të lëshoj viza për të gjitha shtetet atëherë kur të hartohen “politikat më të sigurta”.

Duke u zotuar për të mbrojtur vendin nga “terroristët e huaj”, Trump e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv më 27 janar duke e ndaluar në tërësi programin e pranimit të refugjatëve për 120 ditë, duke ndaluar për kohë të pacaktuar pranimin e refugjatëve nga Siria dhe duke pezulluar imigracionin e të gjithë banorëve nga shtatë vende me popullatë shumicë myslimane, për 90 ditë.

Vendimi ka nxitur protesta në tërë SHBA-në dhe me gjërë, ndërsa disa ligjvënës amerikanë i janë bashkuar zëra kundër masave të ndërmarra.

Disa gjykatës federal e kanë ndaluar deportimin e atyre që posedojnë viza ndërsa 16 shtete federale amerikane janë zotuar se do e luftojnë urdhërin e Trumpit duke e cilësuar jo kushtetues.

“Amerika është një komb krenar i përbërë nga emigrantët dhe ne do të vazhdojmë të shfaqim dhembshuri ndaj atyre që largohen nga shtypja, por ne do e bëjmë këtë duke mbrojtur qytetarët dhe kufinjtë tanë. Amerika gjithmonë ka qenë vendi i lirisë dhe shtëpia e trimave”, citohet të ketë thënë Trump në një komunikatë.

“Për të qenë i qartë, ky (urdhëri ekzekutiv) nuk është ndalim i myslimanëve, ashtu siç po i referohen rrejshëm mediat. Kjo s’ka të bëjë me fenë – kjo ka të bëjë me terrorin dhe mbajtjen e vendit të sigurt”, ka shtuar ai, duke nënvizuar se mbi 40 shtete myslimane nuk janë përfshirë në ndalesë nga urdhëri i tij.

Urdhëri i Trumpit ka nxitur protesta nëpër aeroportet e SHBA-së. Më 29 janar, qindra protestuesë janë mbledhur para Shtëpisë së Bardhë, duke thirrur: “Lejoni të hyjnë! Lejoni të hyjnë!”

Por, shefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë, Reince Preibus e ka mohuar se nëpër aeroporte ka kaos.

Ai i ka thënë televizionit NBC se nga 325 mijë njerëzit që kanë hyrë në SHBA më 28 janar, vetëm 109 janë paraburgosur.

Urdhëri ka bërë që deri në 200 persona të paraburgosen nëpër aeroportit amerikane apo ata që ishin transit, sipas të dhënave të Unionit të Lirive Civile Amerikane (ACLU).

“Shumica e këtyre njerëzve janë liruar. Kemi edhe disa dhjetëra që mbesin dhe them nëse nuk janë përsona të këqinj ata do të lëvizin tutje pas një gjysëm dite”, ka thënë Priebus.

Shtatë shtetet që janë përfshirë në urdhërin e Trumpit janë: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Siria, Sudani dhe Jemeni.

Por, duke folur për disa keqkuptime që e kanë shoqëruar urdhërin e Trumpit, Priebus gjithashtu ka thënë se të huajtë nga këto vende që kanë leje qëndrimi në SHBA – e njohur si “karta e gjelbertë” do të lejohen që të kthehen në SHBA, por vetëm pasi rastet të shqyrtohen veç e veç.

Kjo duket se bie në kundërshtim me mënyrën se si është shkruar urdhëri, i cili thotë se ndalesa përfshinë edhe ata që janë të pajisur me karta të gjelberta.

Mbrëmjen e 28 janarit, një gjykatës federal në Neë York e ka ndaluar përkohësisht deportimin e njerëzve që kanë viza apo refugjatët që kanë aterruar në aeroporte. Gjykatësit në të paktën katër shtete federale, Kaliforni, Masaçusets, Virxhinia dhe shtetin e Vashingtonit, kanë lëshuar urdhëra të ngjajshëm.

Ndërkohë, prokurorët e përgjithshëm në Kaliforni, Nju Jork dhe 13 shtete të tjera, janë zotuar ta luftojnë atë që ata e kanë quajtur urdhërin e “rrëzikshëm” dhe “jo-kushtetues” të Trumpit.

Një pjesë e madhe e ligjvënësve demokratë në Kongres kanë folur kundër urdhërit, dhe se paku tre republikanë e kanë kritikuar mënyrën se si është implementuar urdhëri.

Senatorët republikan, John McCain dhe Lindsey Graham, që rregullisht e kanë kritikuar Trumpin, e kanë quajtur veprimin të nxitueshëm.

“Në fund të fundit, ne kemi frikë se ky urdhër ekzekutiv, do të bëhet një plagë e vet-shkaktuar në luftën kundër terrorizmit”, kanë thënë senatorët në komunikatën e përbashkët.

Senatori republikan, Bob Corker, udhëheqës i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se udhëri ekzekutiv nuk është vënë në funksion si duhet.

“Ne të gjithë pajtohemi me dëshirën e mbrojtjes së popullit amerikan, por ky urdhër ekzekutiv është implementuar dobët, veçanërisht në trajtimin e atyre që e kanë kartën e gjelbërt”, ka thënë Corker përmes një komunikate.

Urdhëri është kritikuar nga disa shtete, përfshirë edhe disa prej aleatëve amerikan, siç janë Gjermania dhe Britania.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG