Ndërlidhjet

Cilësia e dobët e ajrit në pragun e alarmit mjedisor


Autoritetet përgjegjëse në Kosovë janë treguar të papërgatitura të përballen me fenomenin e cilësisë së dobët të ajrit, thonë ekspertët.

Sipas tyre, me rritjen e nivelit të rrezikshmërisë së ajrit, autoritetet përgjegjëse në nivelin lokal dhe qendror është dashur që të reagojnë, duke aplikuar edhe reduktime të qarkullimit të automjeteve.

Qytetarët e Kosovës po kërcënohen nga mjedisi i ndotur i cili po ndikon në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore, që shkakton madje edhe vdekjen e njerëzve, thonë ekspertë të fushës së mjedisit.

Një gjendje të tillë javë më parë e kishte theksuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ekspertët e këtij Instituti, përmes një komunikate për media, thanë se 'nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritjen e vdekshmërisë'.

Në matjet e fundit të realizuara nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës thuhet se nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit gjatë ditëve të fundit janë paraqitur tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.

Zeqir Veselaj, ekspert për çështje të mjedisit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet e Kosovës kanë qenë të papërgatitura në marrjen e masave të shpejta për zbutjen e ndotjes së ajrit.

“Ligji për mbrojtjen e ajrit parasheh që në momentin kur cilësia e ajrit ulet në masë aq të madhe sa mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve, atëherë ministria është e obliguar që të shpallë pragun e alarmit mjedisor i cili në atë rast do t’i obligonte të gjitha strukturat e nivelit qendror dhe komunal që të merren masat imediate për tejkalimin e situatës”, thekson Veselaj.

Ajo çka do të duhej të bënin autoritetet e Kosovës në këto raste kur cilësia e ajrit është nën nivelin e lejuar, sipas Veselaj, do të ishte të reduktohet transporti në rrugë të caktuara ose në ditë të caktuara.

“Kjo ka qenë një masë emergjente që është dashur të ndërmerret qysh në fillim kur janë parë të dhënat e cilësisë së ajrit. Sektori i transportit ka mundur të kontribuojë në zvogëlimin e rritjes së këtyre parametrave të ndotjes së ajrit”, thekson Veselaj.

Përkeqësimi i cilësisë së ajrit në Kosovë filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe kjo gjendje shtyu Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të bëjë një plan veprimi, i cili u aprovua edhe nga Qeveria e Kosovës.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë ndërmarrë të gjitha masat që iu takojnë si ministri, por që ende mbetet punë për t'u bërë në të ardhmen.

Megjithatë, ai thekson se nuk mjafton vetëm hartimi i dokumenteve apo politikave mjedisore, siç janë ligjet dhe strategjitë, por edhe zbatimi i tyre, që në këtë rast, siç thekson Morina, mbi 60 për qind të legjislacionit mjedisor duhet të zbatohet nga komunat dhe shoqëria në përgjithësi.

“Është vështirë të merren masa të shpejta edhe pse Ministria e Mjedisit ka bërë një plan të veprimit që është miratuar në qeveri. Qeverisë i janë paraqitur problemet dhe është kërkuar nga dikasteret tjera që të merren masa, sidomos nga Ministria e zhvillimit ekonomik, ajo e transportit dhe komunat”, thekson Morina,

Ndotja e mjedisit në Kosovë, përveç që shkaktohet nga kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, vjen edhe nga numri i madh i veturave.

Llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura në Kosovë, me një mesatare të vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë prej 18 vjetësh. (REL)

XS
SM
MD
LG