Ndërlidhjet

Çka dihet për skandalin e spiunimit në Moskë?


Ilustrim

Hetimi i mjegulluar i oficerëve të inteligjencës ruse, që raportohet se përballen me akuza për tradhti shtetërore, ka marrë një vrull të ri, pasi agjencia Interfax i ka cituar burimet e paemëruara që kanë thënë se dy të dyshuar janë të akuzuar se kanë bashkëpunuar me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara (CIA).

Ky lajm, i paverifikuar dhe i pambështetur, është i fundit në numrin e madh të rrjedhjeve të jashtëzakonshme, që aludojnë në luftërat e mundshme dhe agjendat e fshehura brenda aparatit të frikshëm të sigurisë së Rusisë.

Deri tash, asnjë zyrtar i vetëm i agjencisë së zbatimit të ligjit nuk ka komentuar publikisht për rastin e raportuar kundër oficerëve të Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB), të identifikuar si Sergei Mikhailov dhe Dmitry Dokuchayev, ose bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar.

Në vend të kësaj, mediat ruse duke cituar burime anonime kanë raportuar se të dyshuarit ndoshta ishin të lidhur me hakerët, që e kishin sulmuar elitën ruse dhe kanë mundur të zbulojnë informacion për sulmet kibernetike kundër sistemit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara.

Këto raporte po bëhen pas vlerësimit të agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, në fillim të muajit janar të këtij viti, se Rusia e kishte orkestruar fushatën e sulmeve kibernetike me qëllim që të ndihmohet presidenti, Donald Trump, t’i shkaktonte disfatë rivales së tij në zgjedhje, demokrates Hillary Clinton, më 8 nëntor të vitit të kaluar.

Burimet anonime nuk kanë shprehur lidhshmëri me akuzat e raportuara kundër oficerëve Mikhailov dhe Dokuchayev, për ndërhyrjet kundër Partisë Demokratike Amerikane, megjithqë Novaya Gazeta ka raportuar se mund të ketë lidhje me sulmet në sistemin zgjedhor amerikan.

Kush janë të arrestuarit?

Deri tash, Mikhailov dhe Dokuchayev janë të vetmit oficerë të FSB-së që janë identifikuar, në bazë të burimeve anonime, të cituara nga disa media ruse, si të dyshuar në hetime.

Raportet në media, megjithatë, indikojnë se mund të jenë gjithsej gjashtë persona të dyshuar, përfshirë edhe oficerin e tretë të FSB-së, i cili aktualisht është i arrestuar.

Arrestimi i oficerit Sergei Mikhailov, që raporrtohet se ka ndodhur në muajin dhjetor, së pari është zbuluar nga gazeta Kommersant më 25 janar.

Ai ishte shef i Qendrës për informacione dhe siguri (CIS) në FSB dhe ishte i “mirënjohur” në mesin e ekspertësve rus të sigurisë kibernetike, sipas gazetarit investigativ, Andrei Soldatov, i cili ka shkruajtur gjërësisht për shërbimet e inteligjencës së Rusisë dhe kapacitetet e tyre kibernetike.

Për arrestimin e oficerit tjetër, Dmitry Dokuchayev, të cilin mediat e identifikojnë si të punësuar në CIS, së pari ishte raportuar më 26 janar në Rambler News Service.

Mediat e tjera ruse e kanë identifikuar Dokuchayevin si ish-haker, i cili e kishte përdorë pseudonimin Forb.

Avokati i njohur rus, Ivan Pavlov, i cili më parë i ka mbrojtur individët e akuzuar për tradhëti kundër shtetit, ka konfirmuar për gazetën Kommersant se në hetime involvohen më tepër se dy të dyshuar, njëri prej të cilëve është klient i tij.

Pavlov, i cili nuk e ka identifikuar publikisht klientin e tij, ka sugjeruar se të dyshuarit ishin arrestuar në muajion dhjetor. Ai nuk i ishte përgjigjur menjëherë kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

A është rasti i lidhur me sulmin kibernetik kundër SHBA-ve?

Nuk është bërë lidhje e qartë ndërmjet hetimeve dhe asaj që inteligjenca e Shteteve të Bashkuara e ka quajtur operacion i drejtuar nga Kremlini, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciae amerikane me sulme kibernetike dhe propagandë.

Por, Novaya Gazeta ka raportuar javën e kaluar duke cituar burime të paidentifikuara, që kanë thënë se Sergei Mikhailov, ishte i dyshuar se i kishte dhënë inteligjencës amerikane informacione për King Servers, një shërbim bartës, që ishte pronë e shtetasit rus, Vladimir Fomenko.

Kjo kompani ishte përdorë si platformë nga hakerët për sulme kundër sistemit të kompjuterëve shtetëror zgjedhorë në Arizona dhe Ilinois, vitin e kaluar.

Fomenko, i cili jep me qera hapësirë në serverët e tij, e ka hedhur poshtë çfarëdo lidhjeje me autorët e sulmeve kibernetike.

Kjo është ajo që tash për tash dihet lidhur me këtë skandal të spiunimit në Rusi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG