Ndërlidhjet

Putini në Hungari – shqetësime për unitetin e BE-së


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e viziton Hungarinë, për të dytën herë brenda dy vitesh dhe ky zhvillim nga shumë vetë në Bashkimin Evropian shihet me shqetësim.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, takon të enjten Putinin, në periudhën e shqetësimeve të rritura brenda Bashkimit Evropian për pikëpamjet e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i cili në një mënyrë, ka shprehur anashkalim për Bashkimin Evropian dhe dëshirë për raporte më të afërta me Moskën.

Ne jemi të shqetësuar për vizitën atje dhe nuk ka dyshim për këtë”, i tha Radios Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së, që ka dashur të mbetet anonim.

Ai tha se “ky është viti i Putinit. Ai po përpiqet ta përçajë Evropën, derisa Katërshi i Vishegradit, ku bëjnë pjesë Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, e veçanërisht Hungaria, po shkaktojnë më tepër përçarje, për shkak të aksioneve siç është ky i ftesës së Putinit për vizitë në Budapest, dhe Shtetet e Bashkuara, që për të parën herë nuk japin kundërbalancë ndaj Putinit”.

Vizita e Putinit, me ç’rast ai për të tretën herë do të takohet me kryeminitsrin hungarez, Viktor Orban, brenda dy vitesh, do të fokusohet, para se gjithash, në çështjet ekonomike, përfshirë edhe projektin kundërthënës për centralin atomik, për të cilin Rusia e ka nënshkruar kontratën për ndërtim dhe për marrëveshje të tjera për blerje të gazit natyror.

Putin i ka pranuar pak ftesa në vendet e Bashkimit Evropian, prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014, dhe imponimit të sanksioneve kundër Moskës për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Analistët thonë se kjo vizitë paraqet mundësi për Putinin për inkurajimin e Hungarisë në përpjekjet e saj që sanksionet kundër Rusisë të tërhiqen.

“Nuk jam i befasuar që zoti Putin e viziton Hungarinë kaq shpesh dhe vizita e tij e tashme në Hungari është vetëm një ilustrim se Putini është i interesuar në mbajtjen e presionit ndaj Bashkimit Evropian. Jam i sigurt se është përpjekje për shkatërrim të solidaritetit tonë. Zoti Orban është promovues aktiv i politikave kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Tërheqja e sanksioneve është diçka që Rusisë i duhet shumë, por ajo e thyen parimin e solidaritetit brenda BE-së. Mendoj se përgjigja e Hungarisë është krejtësisht e gabuar”, i tha Radios Evropa e Lirë, Petras Austrevicius, anëtar i Parlamentit Evropian nga Lituania.

Ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në fund të muajit të kaluar, është shprehur kundër sanksioneve ndaj Rusisë, duke thënë se ato kanë dështuar ta ndryshojnë involvimin e Rusisë në Ukrainë dhe e kanë goditur rëndë ekonominë e Hungarisë.

“Nuk mendoj se duhet të festojmë se ne e kemi goditur ekonominë ruse, pasi ky është lajm i keq për Evropën, po ashtu”, tha ministri i jashtëm hungarez, duke pretenduar se Hungaria i ka humbur 6.5 miliardë dollarë në eksporte në Rusi, për shkak të sanksioneve dhe kundër sanksioneve të imponuara nga ana e Moskës.

Analisti Peter Kreko, drejtor i Institutit Politik Capital me seli në Budapest, i tha gazetës Moscoë Times, se të dhënat e qeverisë hungareze për humbje ekonomike për shkak të sanksioneve, janë “thjeshtë të falsifikuara” dhe qëllimisht të rritura.

Nga ana e saj, Moska ka thënë se tregtia ndërmjet dy vendeve ka rënë për 50% gjatë tri viteve të kaluara, dhe ka arritur në 3.9 miliardë dollarë.

Vlerësimet e ministrit të jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, lidhur me sanksionet kundër Rusisë, janë mbështetur nga kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico dhe presidenti i Çekisë, Milos Zeman, i cili në gusht të vitit të kaluar, ka bërë thirrje për tërheqje të sanksioneve kundër Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG