Ndërlidhjet

Gjykata amerikane e pezullon urdhrin e Trumpit për refugjatët

  • RFE /RL

Reagime dhe protesta pas urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, që ndalon refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane të futen në SHBA.

Një gjykatë amerikane e ka bllokuar përkohësisht urdhrin njëjavor ekzekutiv të presidentit Donald Trump që ndalon refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane të futen në SHBA.

Vendimi i gjykatës në Seattle i cili mbetet në fuqi derisa Gjykata e Apelit të vendos, paraqet një sfidë të madhe për Shtëpinë e Bardhë.

Disa orë pas vendimit të gjykatës, zëdhënësi i Presidencës amerikane, Sean Spicer, ka thënë se urdhri i presidentit Trump është i "ligjshëm dhe i përshtatshëm" dhe se Departamenti i Drejtësisë do ta dërgojë rastin në apel.

“Urdhri i presidentit ka për qëllim të mbrojë atdheun dhe se ai e ka të drejtën kushtetuese dhe përgjegjësinë të mbrojë popullin amerikan", ka thënë Spicer.

Por, gjykatësi James Robart që është emëruar nga administrata e ish-presidentit George W. Bush, e ka bërë të zbatueshëm vendimin e tij, duke hequr ndalesat në udhëtim menjëherë.

Doganat dhe mbrojtja kufitare amerikane brenda pak orësh kanë filluar ta zbatojnë vendimin gjyqësor, duke informuar agjencitë e fluturimit se ato mund t'i lejojnë udhëtarët që më parë janë ndaluar të udhëtojnë drejt SHBA-së, të futen në aeroplan.

"Është një ditë e mrekullueshme për sundimin e ligjit në këtë shtet", ka thënë Noah Purcell, avokati i shtetit të Washingtonit, i cili e ka bërë padinë me argumentin se urdhri i Trumpit derisa ka cak banorë amerikanë, paraqet diskriminim.

"Kushtetuta ka mbizotëruar sot", ka theksuar Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Washingtonit, Bob Ferguson, duke shtuar se "askush nuk është mbi ligjin - madje as presidenti".

Trump e ka arsyetuar urdhrin e 27 janarit me arsye të mbrojtjes kombëtare, por kundërshtarët thonë se ai është jokushtetues dhe që ka cak besimin fetar të njerëzve.

Departamenti amerikan i Shtetit më parë ka thënë se në bazë të urdhrit ka pezulluar 60 mijë viza dhënë qytetarëve të Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.

Më 3 shkurt, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka thënë se nuk e ka në plan të shtojë numrin e shteteve në listën aktuale prej shtatë vendeve, qytetarët e të cilave e kanë të ndaluar të udhëtojnë drejt SHBA-së.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG