Ndërlidhjet

Thaçi nënshkruan Ligjin për investime strategjike


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nënshkruar Ligjin për Investime Strategjike.

Ai në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka thënë se “dje e kam nënshkruar Ligjin për Investimet Strategjike, i cili krijon kushte shumë më të mira për investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë ligj i japim fund njëherë e përgjithmonë procedurave burokratike dhe për çdo projekt që merr statusin e investimit strategjik, tash investitorët brenda 15 ditëve të punës do ta marrin edhe vendimin lidhur me kërkesat e tyre për leje, licenca dhe autorizime ligjore”, ka shkruar Thaçi.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që hodhi poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan Ligjin për investime strategjike, i njëjti pas nënshkrimit të presidentit, do të hyjë në fuqi.

Ndryshe, Ligji për investime strategjike në kohën kur ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe ishin zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Ligji për investime strategjike, së bashku me Ligjin për Trepçën, ishte njëri nga arsyet që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës u larguan nga institucionet që prej tetorit të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë, thonë se Ligji për investime strategjike, hap një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG