Ndërlidhjet

Duhani mbetet një nga shkaktarët kryesor të kancerit


France -- A woman smokes a cigarette in this illustration picture taken in Paris, October 8, 2014.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, të dhënat që prezantojnë organet kompetente në Kosovë flasin për rreth 800 raste të reja të kancerit në vit. Numri më i madh i rasteve, i takon kancerit të mushkërive, atij të gjirit dhe lëkurës, i cili sipas ekspertëve shëndetësorë, ndërlidhet shumë me duhanin dhe duhanpirësit.

Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në vendet me buxhet të ulët, siç është edhe Kosova, numri i njerëzve të prekur me kancer, rrezikon të përfundojë me vdekje deri në 70 për qind, derisa te vendet më të zhvilluara deri në 30 për qind.

Kërliu, tërheq vërejtjen edhe për rrezikun që shkakton duhani dhe ndërlidhjen që ka me sëmundjen e kancerit.

“Pirja e duhanit është e lidhur ngushtë me sëmundjen e kancerit, sidomos atë të mushkërive, laringut, veshkës dhe kur t’i shtohen faktorët tjerë të rrezikut si alkooli, ajri i ndotur mënyra e ushqimit, mungesa e aktivitetit fizik, infeksionet e ndryshme. Të gjitha këto ndihmojnë zhvillimin e kancerit”, thotë Kërliu. Kanceri i mushkërive, në Kosovë aktualisht paraqitet sëmundja më agresive", thekson Kërliu.

Në anën tjetër Faik Hoti, në cilësinë e zyrtarit nga grupi punues për ligjin për kontrollin e duhanit ka bërë të ditur se që kur ka hyrë në fuqi Ligji për kontrollin e duhanit, në vitin 2013 deri në vitin 2015, ka pasur rënie graduale të importit të duhanit.

Por me gjithë masat e rrepta që janë marrë, sipas tij, del se qytetarët e Kosovës shpenzojnë 185 milionë euro në vit për duhan. Kjo shifër është aq sa edhe buxheti i tërësishëm për shëndetësi.

“Kur merren parasysh këto fakte, hidhen poshtë argumentet e industrisë së duhanit se janë kontribuues të mëdhenj në buxhetin e vendit. E vërteta është se industria e duhanit, përkatësisht importuesit, i japin buxhetit të vendit 100 milionë euro, e i marrin 180 milionë euro , pa llogaritur këtu edhe shpenzimet indirekte që janë të përafërta me shpenzimet e drejtpërdrejta”, ka thënë Hoti.

Tutje, Hoti ka prezantuar edhe fakte dhe rezultate nga hulumtimet shkencore që dëshmojnë për rrezikun e lartë që bartë pirja e duhanit për shëndetin e njeriut.

“Të dhënat shkencore të bazuara në hulumtime tregojnë se duhani përmban 4 mijë substance kimike, prej tyre 60 kanë afinitetin për ta shkaktuar kancerin sidomos të mushkërive, ku 85 për qind të rasteve të kësaj sëmundje janë të lidhura me pirjen e duhanit”.

“Gjithë ata që konsumojnë duhan,e kanë 30 për qind më të lartë shkallën e prekje nga sëmundjet malinje, dhe duhet pasur kujdes që të mos konsumohet duhani, pasi shkakton kancer”, ka thënë Hoti.

Nga të dhënat botërore konstatohet se janë 14 milionë raste të reja ne vit me kancer dhe parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet deri në 21.7 milionë, ka thënë zonja Kërliu.

Ndërkaq, ajo ka shtuar se sa i përket vdekjeve nga kjo sëmundje, aktualisht vdesin 8.8 milionë njerëz në botë dhe parashihet që deri në vitin 2030, ky numër të arrijë në 13 milionë njerëz.

Sidoqoftë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.

Ata thonë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si ndalimi i tymosjes së duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive, shkaktohet pikërisht nga tymosja.

Zbulimi i hershëm i kancerit thuhet se zvogëlon shumë efektin financiar të kancerit, jo vetëm që shpenzimet e trajtimit të kancerit janë shumë më të vogla në stadet e hershme të kancerit, por edhe njerëzit gjithashtu mund të vazhdojnë të punojnë dhe të përkrahin familjet e tyre nëse mund t’i qasen trajtimit efektiv me kohë.

Në vitin 2010, sipas OBSH shpenzimi i përgjithshëm ekonomik vjetor i kancerit përmes shpenzimeve të kujdesit shëndetësor dhe humbja e produktivitetit ishte përllogaritur në 1.16 miliardë dollarë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG