Ndërlidhjet

Kosova vend i tregtisë, por jo edhe i prodhimit


Ilustrim
Ilustrim

Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë duke lënë anash prodhimin.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar janë regjistruar 2.251 ndërmarrje, prej tyre 587 i përkasin tregtisë, derisa 246 janë ndërmarrje prodhuese.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se zhvillimi i tregtisë, por jo edhe i sektorit të prodhimit, ka ndodhur për shkak se prodhimtaria nuk kanë qenë në pozitë të favorshme të zhvillimit.

Megjithatë, sipas zëvendëskryeministri të Kosovës, Ramiz Kelmendi kjo gjendje do të ndryshojë me pakon e re fiskale që Qeveria e Kosovës pritet ta aprovojë.

“Qeveria e Kosovës ka konstatuar që për një kohë të gjatë, se prodhuesit në Kosovë kanë qenë pak më shumë të ngarkuar me taksa doganore dhe taksa tjera. Kjo ka bërë që prodhimtaria të ngecë në raport me tregtinë dhe në raport me zhvillimin ekonomik të shteteve fqinje”.

“Pakoja e re fiskale ka për qëllim masa të shpejta dhe zënien e asaj kohë të humbur në mënyrë që qasja e prodhimit të zhvillohen më shpejt në raport me tregtinë”, thekson Kelmendi .

Pakoja e re fiskale, përveç tjerash, është thënë se do të përfshijë zgjerimin e listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor, futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe ndryshim/plotësimin e listës së produkteve që i nënshtrohen normës zero për qind, apo normës së reduktuar 8 për qind të TVSH-së.

Kelmendi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo pako e re fiskale pritet të aprovohet dhe të hyjë në fuqi në muajin maj të këtij viti.

“Nëse kjo pako fiskale do të hynë në fuqi në muajin maj, unë besoj që procesi zhvillimor i prodhimtarisë do të ecë shumë më shpejtë dhe më mirë. Kjo është vetëm në fazën e parë. Kosova ka kapacitete për të zëvendësuar disa produkte të cilat importohen dhe jo vetëm të zëvendësohen, por të krijohen edhe potenciale për pjesëmarrje në tregun ndërkombëtarë nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, thotë Kelmendi.

Orientimi i afaristëve në sektorin e tregtisë, sipas ekspertëve është karakteristikë e të gjitha vendeve që kalojnë fazën e tranzicionit.

Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se për të rikthyer kapacitet prodhuese industriale që Kosova kishte në të kaluarën duhet të bëhen reforma të mëdha ekonomike në vend.

“Kosovës i mbetet për të dëshiruar që të rikthejë një industri të veten prodhuese fillestare dhe ky proces është duke shkuar shumë ngadalë. Tregtia në Kosovë ka pjesëmarrje dominuese. Pas viti 1999 edhe përkundër përpjekjeve, sektori prodhues gjeneron vetëm deri në 15 për qind të bruto produktit vendor dhe një pjesëmarrje më të madhe në punësim, dhe fatkeqësisht me pjesëmarrje ende të vogël në eksport”, thekson Sadiku.

Po ashtu, Sadiku thotë se asnjë ndërmarrje e cila në të kaluarën ka qenë gjigant i prodhimit në Kosovë nuk ka arritur të funksionalizohet në tërësi. Sipas tij, Kosova nuk arriti të tërheqë investitorë të huaj të cilët do ta rikthenin industrinë prodhuese.

“Është menduar që privatizimi do të sjellë një fuqizim të sektorit prodhuese. Është menduar që procesi i ristrukturimit të ndërmarrjeve të mëdha do të sjellë dobi përfituese prodhues dhe ajo që kemi pasur shpresa të mëdha që investitorët do të bënin ndryshime esenciale. Por, gjerë më tani asnjë ndërmarrje e madhe nuk është hapur dhe derisa kjo nuk do të ndodh, atëherë është vështirë të flitet për rritjen e sektorit prodhues në Kosovë”, thotë Sadiku.

Ndryshe, vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.

Ky debalanc tregtar, për përfaqësuesit e kompanive prodhuese në Kosovë tregon gjendjen e rëndë të sektorit të prodhimit në vend.

XS
SM
MD
LG