Ndërlidhjet

Merkel dhe Putin bisedojnë për dhunën në lindje të Ukrainës


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, të shfrytëzojë ndikimin e tij te separatistët në lindje të Ukrainës për të ndaluar dhunën atje.

Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Sibert, tha se të dy liderët, gjatë bisedës telefonike, kanë shfaqur shpresën se luftimet do të marrin fund shpejt.

Intensifikimi i dhunës midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës ka lënë së paku 35 veta të vrarë gjatë javës së fundit.

“Kancelarja gjermane dhe presidenti rus janë pajtuar për nevojën e përpjekjeve të reja për të siguruar armëpushim dhe u kanë kërkuar ministrave të Jashtëm dhe këshilltarëve të tyre të mbesin në kontakte të ngushta”, tha Seibert.

Në anën tjetër, Kremlini tha se Putin dhe Merkel kanë bërë thrrje për rivendosje të menjëhershme të armëpushimit në lindje të Ukrainës.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, mbi 9,800 njerëz janë vrarë në këtë konflikt qysh në prill të vitit 2014.

XS
SM
MD
LG