Ndërlidhjet

Seantori amerikan, McCain shpreh shqetësim për jetën e kritikut të Kremlinit 


Kritku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza i Riu
Kritku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza i Riu

Senatori republikan amerikan, John McCain ka shprehur shqetësim për jetën e kritikut të Kremlinit, Vladimir Kara-Murza i Riu, i cili është sëmurë rëndë javën e kaluar në Moskë, për të dytën herë brenda dy viteve.

McCain që rregullisht e kritikon Rusinë, i ka thënë Senatit amerikan se Kara Murza duket se është helmuar për shkak të “besimit në idealet e tij kundrejt autokracisë së rrezikshme dhe mizore”.

Bashkëshortja e Kara Murzës, Jevgenia, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 6 shkurt se mjekët kanë arritur në përfundimin se ai është helmuar nga një substancë që ende nuk dihet çfarë është.

Ai është dërguar në spital më 2 shkurt pas problemeve me veshkë.

35 vjeçari në fjalë, është vendosur në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa po mbahet në jetë nga pajisjet mjekësore.

McCain ka thënë se Kara Murza, është shumë i sëmurë, ndonëse ai është shprehur i lumtur se gjëndja shëndetësore e tij është tani stabile.

Simptomet e tashme të kritikut të Kremlinit janë të ngjajshme me ato që i ka pasur në majin e vitit 2015, kur ai papritmas u sëmurë në Moskë.

Atëkohë, ai pat thënë se beson që sëmundja e vitit 2015 ishte rezultat i helmimit të qëllimshëm, duke u bërë cak si pasojë e aktiviteteve të tij politike.

McCain, ka thënë se “duket që Vladimiri sërish po e paguan çmimin për integritetin dhe trimërinë e tij, për vendosjen e interesit të popullit rus para interesit personal”.

Senatori amerikan ka thënë se pas vdekjes së disa kritikëve të presidentit rus, Vladimir Putin, - Kara Murza “e ka ditur se Putini është vrasës, dhe se ai ka mundësi të jetë caku i radhës”.

Por, “ndonëse e ka ditur se jetën e ka në rrezik, Vladimiri është rikthyer në Rusi”, ka shtuar McCain.

Kara-Murza është bashkërëndues i organizatës jo qeveritare të ish manjatit Mikhail Khodorkovsky, “Rusia e Hapur”, ndërsa para ligjvënësve amerikanë ka përkrahur sanksionet kundër zyrtarëve dhe udhëheqësve të mediave ruse.

XS
SM
MD
LG