Ndërlidhjet

Demarkacioni pa konsensus rrezikon me dështim


Foto nga arkiva

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk do të mund të kalojë në Kuvend pa një marrëveshje paraprake ndërmjet partive politike, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Mungesa e konsensusit politik rreth kësaj çështjeje mund të vazhdojë edhe për një kohë, thonë deputetë nga radhët e partive në pushtet. Andaj, sipas tyre, konsensusi është më se i nevojshëm edhe për faktin se për demarkacionin nuk ka një pajtim dhe unitet as te deputetët nga partitë në pushtet. Përderisa opozita mbetet e pozicionuar kundër marrëveshjes së demarkacionit.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pas matjes që do të bëjë komisioni i formuar rishtazi nga Qeveria, dhe nëse matjet rezultojnë me suksese, gjërat, siç shpreson ai, mund të ndryshojnë edhe në Kuvendin e Kosovës.

"Unë e shoh problemin realisht edhe te vet koalicioni, sepse edhe brenda të dy partive [PDK-LDK], ka dhe ka pasur refuzime për këtë çështje. Unë po shpresoj se nëse kryhet shpejt çështja e matjes së territorit dhe nëse komunikohet me qytetarët dhe binden në Rugovë dhe Potgur, atëherë besoj se mund të kaloj", tha Haliti.

Deputeti Haliti tha po ashtu se para së gjithash, Qeveria dhe Parlamenti duhet ta bëjnë punët e vet dhe t’ua sqarojnë qytetarëve çështjen e demarkacionit. Nëse ka qartësi dhe dakordim rreth matjeve të fundit, vijon ai, do të mund të shpresohet që në Kuvend të sigurohen votat për ratifikimin e marrëveshjes.

"Nuk di sa çfarë planesh ka opozita, por nëse pozita i ka votat dhe do ta votojë, atëherë nuk ka se çka bën opozita në këtë rast. Opozita mund ta kundërshtojë, mund të hedh gaz, siç ka bërë apo edhe variante tjera, por mundësitë tona për të vendosur janë të shumta", tha Haliti.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të mënjanuar të gjitha defektet të cilat kanë ndodhur me çështjen e demarkacionit. Sipas tij, në segmente të caktuara të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kanë ndodhur lëshime evidente. Bulliqi nuk beson se në formën në të cilës po vepron Qeveria do të zgjidhet ky problem.

"Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë hap përpara për ta zgjidhur këtë problem. Përkundrazi, me forma të ndryshme, me mënyra të ndryshme, po mundohet t’i kamuflojë të gjitha ato lëshime të cilat janë bërë, në mënyrë që të dilet para opinionit publik, që në një formë të thonë se punën që e ka bërë komisioni ka qenë në rregull, që besoj se një gjë e tillë nuk do të ketë mundësi që të shtyhet tutje", tha Bulliqi.

Ndërkohë, partitë opozitare mbeten në qëndrimet identike. Ato kundërshtojnë marrëveshjen dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me pretendimin se Kosova me këtë marrëveshje humb rreth 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj- Bujupi tha për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo tendence për ta rikthyer çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në formën se si është arritur marrëveshja, do të ketë si pasojë rikthimin e tensioneve.

"Nga një Qeveri e nënshtruar ndaj Serbisë në negociata në dëm të sovranitetit të Kosovës dhe nga një koalicion siç është PDK-LDK-Lista ‘Serpska’, gjithçka është e mundshme. Është veç në interes të Serbisë, ndërsa e pamundshme bëhet Republika dhe mbrojtja e interesave kombëtare e shtetërore. Pas vërtetimit nga ekspertët se demarkacioni është i gabuar e i dëmshëm, çdo përpjekje e këtij pushteti për ta shtyrë përpara, është rikthim i tensioneve në vend, dhe si opozitë, sigurisht që do t’i përgjigjemi me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën vendosmëri sikurse edhe në të kaluarën", tha Bujupi.

Edhe në Institutin Demokratik të Kosovës, që bën monitorimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit,thonë se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk mund të ketë rikthim të çështjes së demarkacionit në Kuvend.

"Çfarëdo veprimi i njëanshme që merret nga ana e Qeverisë se Kosovës nuk do të prodhojë efekte dhe nuk do të jetë i frytshëm për kalimin e marrëveshjes se demarkacionit", tha Artan Murati nga KDI.

Partitë politike opozitare vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur edhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG