Ndërlidhjet

Trumpit mund t’i paralizohet e drejta e vetos mbi sanksionet ruse


Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin.

Një grup i senatorëve amerikanë paraqiti një ligj që do të paralizonte çdo përpjekje të administratës së presidentit Donald Trump për t’i hequr sanksionet kundër Rusisë, të vëna për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Ligji, i quajtur Akti i Rishikimit të Sanksioneve Ruse, ka mbështetjen edhe të republikanëve, edhe demokratëve dhe vjen në kohën e shqetësimeve në Kongres, në lidhje me politikat e administratës Trump ndaj Rusisë.

Trump, vazhdimisht, ka sinjalizuar se do bashkëpunim më të madh me Rusinë në fushat si lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, sidomos në Siri. Por, administrata e tij ka bërë deklarata në lidhje me Ukrainën dhe çështje të tjera, që dallojnë nga administrata e mëparshme.

Senatorët Lindsay Graham, republikan, dhe Ben Cardin, demokrat, janë në mesin e grupit që mbështesin legjislacionin, i cili kërkon mbikëqyrje të rreptë nga Kongresi dhe fuqi të vetos mbi administratën Trump, nëse kjo e fundit përpiqet të heqë sanksionet ndaj Rusisë.

“Arsyeja për Aktitn e Rishikimit të Sanksioneve Ruse është se ne kemi dëgjuar presidentin disa herë duke folur për reduktimin e mundshëm ose eliminimin e sanksioneve”, tha senatori Cardin.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, u ka ngrirë asete dhe u ka bllokuar vizat disa zyrtarëve të lartë rusë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po ashtu thonë se Rusia mbështet forcat separatiste në lindje të Ukrainës, të cilat luftojnë trupat qeveritare. Rusia e mohon një gjë të tillë.

Mbi 9,750 njerëz janë vrarë nga luftimet në rajonin Donbas të Ukrainës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, nuk pranoi të komentojë legjislacionin e ri për sanksionet kundër Rusisë.

Ai iu referua komenteve të ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka thënë se sanksionet që lidhen me Krimenë, do të mbesin në fuqi derisa Moska t’ia dorëzojë kontrollin mbi gadishull Ukrainës.

“Nuk do të komentojmë për legjislacion në pritje. Sa u përket sanksioneve që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe Krimenë, mendoj se ambasadorja Haley ka folur shumë, shumë qartë për to”, tha Spicer.

Senatori republikan, John McCain, po ashtu bashkëhartues i legjislacionit, tha se lehtësimi i sanksioneve kundër Rusisë do të dërgonte mesazh të keq, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, “vazhdon të shtypë qytetarët e tij, të vrasë kundërshtarët politikë, të pushtojë fqinjët, të kërcënojnë aleatët e Amerikës dhe të përpiqet të minojë zgjedhjet tona”.

Senatori demokrat, Cardin, shprehu optimizëm se legjislacioni do të marrë mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG