Ndërlidhjet

Vendimi për Haradinajn më 2 mars


Ramush Haradinaj

Një gjykatë franceze në Colmar ka shtyrë vendimin për lirimin ose ekstradimin në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, deri më 2 mars. .

Pas përfundimit të seancës Haradinaj tha se 'Serbia po provon ta pengojë rrugën e Kosovës".

"Shpresoj se vendimi mos po merret me herët se 2 marsi është shumë gjatë. Është humbur shumë kohë në një kërkim ekstradimi që është abuziv nga ana e Serbisë që është pa bazuar".

"Kjo nuk është asgjë e re që nuk e di Franca dhe e gjithë bota. Kryeministri i Serbisë Vuçiq ka qenë ndihmës i Sheshelit dhe kanë udhëhequr formacione paraushtarake, dhe atëherë kanë pasur edhe ushtri. Presidenti Nikoliq gjithashtu ka udhëhequr formacionet paraushtarake, ndërsa ministri i punëve të jashtme të Serbisë Daçiq ka qenë ndihmës i Milosheviqit".

"Prandaj atyre nuk iu interesojnë viktimat, nuk iu interesojnë ligjet, ata keqpërdorin këtë përparësi që janë pjesë e Interpolit dhe provojnë ta pengojnë rrugën e Kosovës”, tha Haradinaj para Gjykatës në Colmar. .

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues e ka pyetur Haradinajn nëse pranon të ekstradohet në Serbi në bazë të kërkesës që ka parashtruar Serbia.

Mirëpo, përgjigja e Haradinajt ishte kundër, duke ia rikujtuar gjykatësit se “ky rast është krejtësisht politik”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh ish-kryeministri dhe aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në vitin 2012 ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi.

Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi Prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkë luftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Ndalimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze nuk është veprimi i vetëm, pasi që ndalime të tilla të personave të kërkuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, ka pasur edhe në të kaluarën.

Autoritet e Kosovës kanë thënë se kanë adresuar te faktori ndërkombëtar çështjen e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia ndaj qytetarëve të saj, por ka mundur të bëjë pak në këtë drejtim, ngase Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare të sigurisë.

Kosova e cila ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL në prill të vitit 2015, por që vitin e kaluar kjo organizatë suspendoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG